Bie masivi i dheut, i merr jetën të miturit, kërkues skrapi
TIRANË – Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Punës së Fëmijëve, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë. Një masiv dheu ka rënë mbi një 13-vjeçar nga Puka, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Burime zyrtare të policisë kanë deklaruar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00 në zonën e ish-Uzinës së Autotraktorëve. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniformat blu, të cilat kanë nisur kërkimet për 13-vjeçarin A. N., të zënë nga masivi i dheut. Policisë u kanë ardhur në ndihmë edhe forcat RENEA-s dhe pas ndërhyrjes së këtyre të fundit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të viktimës, që më pas është transportuar për në morgun e spitalit. Sipas të dhënave të para mësohet se fëmija po mblidhte skrap në momentin kur masivi i dheut ka rënë mbi duke e mbuluar plotësisht. Incident i rëndë i ka marrë jetën 13-vjeçarit, i cili ishte “punësuar” në nxjerrjen e skrapit. Sipas të dhënave paraprake të policisë mësohet se i mituri, së bashku me pjesëtarët e familjes së tij, angazhoheshin për të nxjerrë skrap dhe për t’i shitur më pas. Ndërkohë që në momentin e aksidentit i mituri ka qenë i vetëm brenda gropës. Gjithashtu uniformat blu të Komisariatit të Policisë Nr. 1 konfirmuan se vogëlushi futej çdo ditë në gropën e madhe të hapur prej personave më të mëdhenj dhe mundohej të nxirrte prej andej mbeturina hekuri dhe materiale të tjera metalesh që mund të shiteshin. Për orë të tëra ekspertët hetuan rrethanat e ngjarjes për ta zbardhur atë plotësisht. Aktualisht prokuroria ka urdhëruar mbylljen e gropës, pasi ajo paraqitet me një rrezikshmëri të lartë për popullsinë dhe banorët.
Vdes endacaku pa identitet, ishte goditur me sende të forta
TIRANË – Një i ri është gjetur i pajetë dje paradite në periferi të Tiranës, në vendin e quajtur Bregu i Lumit. Burime policore thanë për gazetën se ai u gjet i pajetë në rrugën “Aleksandër Moisiu”, në pjesën veriore të Urës së Qerosës. Nga Policia bëhet e ditur se viktima i seksit mashkull, rreth moshës 20-25 vjeç, nuk është identifikuar ende, por dyshohet të jetë endacak. Ndërkohë, në vendin ku është gjetur trupi ka shkuar menjëherë grupi hetimor, i cili nga konstatimet e para ka bërë të ditur se viktima është goditur në kokë me sende të forta dhe është gjendur në afërsi të Bregut të Lumit, në një zonë e cila shërbente për hedhjen e mbeturinave dhe inerteve. Policia po punon për identifikimin e viktimës duke kryer një mori ekzaminimesh, si dhe zbardhjen e rrethanave dhe autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
13 Qershor 2008