E Diel, 1 Nëntor 2026

Barka premton: Status jetimi edhe për fëmijët me një prind

Në statusin e jetimit, edhe ata fëmijë që kanë humbur njërin nga prindërit, ose jetojnë me kujdestarë. Ka qenë ky premtimi i bërë dje në Ditën Kombëtare të Jetimëve nga Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka. Ky premtim nënkupton që edhe këta të mitur do të hyjnë në skemën e përfitimeve si bashkëmoshatarët e tyre me këtë status. Një projektligj i tillë është paraqitur në Ministrinë e Punës nga shoqëria civile, nga shoqata "Në ndihmë të fëmijëve jetimë" mbështetur nga organizma ndërkombëtarë. Realizimi i një premtimi të tillë kërkon njëkohësisht edhe lobimin parlamentar për t‘i dhënë një zgjidhje financiare një numri të konsiderueshëm fëmijësh jetimë që jetojnë vetëm me njërin prej prindërve apo me të afërm të tjerë. Sipas hartuesve të këtij projektligji, kjo do ta ulte numrin e braktisjeve të fëmijëve apo dërgimin e tyre në institucionet shtetërore. Ministri Barka, në një aktivitet të organizuar dje posaçërisht për Ditën Kombëtare të Fëmijëve Jetimë, vuri në dukje edhe parashikimin për realizimin e një reforme të plotë në sistemin e përkujdesit shoqëror për fëmijët në nevojë dhe jetimë. Sipas statistikave të ofruara në këtë aktivitet, në vendin tonë numërohen rreth 1600 fëmijë jetimë, ndërsa në institucionet sociale shtetërore trajtohen rreth 224 fëmijë. Një pjesë e madhe e tyre i kanë prindërit biologjikë, por janë braktisur për arsye të ndryshme. Ndërsa në institucione të shërbimit jopublik të licencuara dhe që plotësojnë standardet e shërbimit social trajtohen në mënyrë rezidenciale 334 fëmijë.

Aktualisht, statusin e jetimit e jep një komision që është pranë Shërbimit Social Shtetëror, që mblidhet një herë në tre muaj. Sot, këtë status e përfitojnë 845 persona, nga të cilët 390 janë femra. Në përputhje me ligjin, jetimet përfitojnë nga statusi: vendosjen me precedencë të tyre në institucionet e përkujdesit social; prioritet në punësim dhe strehim; të drejta studimi sipas prirjeve dhe aftësive, bursë të plotë nga shteti, trajtime me veshmbathje për tërë vitet e shkollimit; ndihmë ekonomike, kur pasi mbaron shkollën nuk ka filluar punë; mjekim shëndetësor, dentar dhe medikamente falas nga shteti; udhëtim falas me mjetet e transportit publik dhe privat, kur nuk janë në punë; trajtim me përparësi nga shteti, kur ka mundësi të emigracionit të organizuar nga shteti për qëllime punësimi; strehimi i tyre bëhet me përparësi nga shteti. Për ta jepen nga shteti kredi afatgjata, sipas ligjit të nëntorit 1995. Sipas drejtuesve të shërbimit social shtetëror, gjatë vitit 2007 janë birësuar 39 fëmijë, 20 prej tyre jashtë vendit dhe 19 të tjerë nga familje shqiptare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›