Moti, priten ditë me shtrëngata shiu
Një verë e parakohshme u cilësuan ditët e para të muajit maj. Por pas kohës me diell dhe temperaturave të larta, meteorologët parashikojnë ndryshim të menjëhershëm të motit, madje edhe shtrëngata shiu. Ashtu si e hëna dhe e marta, edhe sot moti do të jetë me vranësira, me reshje lokale shiu, ndërsa temperaturat do të jenë të njëjta me ditët paraardhëse. Këto temperatura nuk do të bien poshtë 25 gradë Celsius. Sipas sinoptikanëve të Institutit të Hidrometeorologjisë, kjo javë do të karakterizohet nga një mot i paqëndrueshëm, i shoqëruar me reshje shiu dhe shtrëngata shiu. Prishja e menjëhershme e motit vjen për shkak të një presioni atmosferik që po mbizotëron në rajonin tonë. Vendi ynë do të vazhdojë të ndikohet nga periferia e presionit atmosferik të ulët. "Masat e ajrit që qarkullojnë janë të paqëndrueshme. Moti parashikohet të jetë me vranësira të ndërrueshme, i shoqëruar me reshje shiu në veri dhe veriperëndim të vendit", ky ka qenë parashikimi i sinoptikanëve të Institutit të Hidrometeorologjisë. Sipas tyre, era do të fryjë me shpejtësi 2-7 metra në sekondë në drejtimin juglindje-jugperëndim. Valëzimi në bregdet parashikohet të jetë 3-4 ballë. Temperaturat 25 gradë Celsius parashikohen të regjistrohen në Korçë, Shkodër, Peshkopi, Elbasan. Më të larta se 25 gradë Celsius, temperaturat do të jenë në Kuçovë, Tiranë, Kukës. Konkretisht, sipas parashikimit të motit, sot temperaturat maksimale dhe minimale do të jenë: 15 dhe 27 gradë Celsius në kryeqytet, 13-25 gradë Celsius në Shkodër, 12-26 në Kukës, 15-26 në Durrës. Luhatja e temperaturave ka krijuar edhe shtim të rasteve me viroza të stinës. Sipas mjekëve, në këtë periudhë këshillohen shëtitje në ambiente të pastra me gjelbërim, konsum të frutave, perime, ushqime me vitamina dhe proteina. Këshillohet ajrosje e herëpashershme e ambienteve ku qëndrojmë. Njëkohësisht rekomandohet mbajtja e regjimit dhe pushimi gjatë drekës.