E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barna pa rekomandimin e mjekut, ankohen për efekte anësore



Barnat u përdorën ambulatorisht nga qytetarët

Jakaj: Plan për fuqizimin e farmakovigjilencës

Dhjetë rastet e para të denoncuara në farmakovigjilencë kanë rezultuar alarm fals. Besnik Jakaj, drejtori i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, pohon për “standard” se pas analizimit të mostrave në laborator, medikamentet rezultuan pa probleme. Sipas Jakajt, medikamentet e përdoruara nga qytetarët janë konsumuar ambulatorisht pa u konsultuar me mjekët specialistë, duke sjellë kështu efekte anësore.

Raportimet

Farmakovigjilenca, nga fillimi i aktivitetit të kësaj zyre, pjesë e QKKB-së, ka pasur 10 raportime nga ana e qytetarëve për medikamente që pretendohet t’u kenë sjellë efekte anësore. Menjëherë pas kësaj specialistët kanë marrë mostra të këtyre medikamenteve. Pas ekzaminimit në laboratorin e Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, medikamentet kanë rezultuar brenda çdo parametri mjekësor. “Raportimet më të shumta kanë ardhur nga qytetarët. Deri më tani nuk ka ndodhur të kemi raportime nga spitalet, mjekët apo ambulancat”, - thotë Besnik Jakaj, drejtori i QKKB-së. Barnat, të cilat u raportuan si sjellëse të efekteve anësore, sipas Jakajt, kanë ardhur si pasojë e konsumimit të medikamenteve në mënyrë vetjake pa i konsultuar me asnjë mjekë. Nëse një medikament sjell efekt anësor, mund të raportohet, më pas rasti të regjistrohet për t’u verifikuar. Jakaj shpjegon se kjo është rruga se si raportohen barnat që kanë shkaktuar efekte anësore. Sipas tij, krijimi i farmakovigjilencës ndihmon qytetarët, pacientët e shtruar në spitale, t’i raportojnë barnat që ndikojnë negativisht përmes një numri telefoni dhe adresës së e-mail-it.

“Për herë të parë në vendin tonë po hapet perspektiva që të survejohen të gjitha llojet e medikamenteve, si ato që merren nga vetë pacienti, ashtu edhe ato që përshkruhen nga mjekët. Në të shumtën e rasteve barnat që kanë efekt negativ është e vështirë të zbulohen nga specialistët. Ndërsa tani, përmes farmakovigjilencës mund të raportohen dëmet që sjellin këto barna”, - thotë Jakaj.

Farmakovigjilenca

Drejtori i QKKB-së pohon se në gjashtë muaj aktivitet të kësaj zyre, shumë pak qytetarë janë në dijeni të saj apo të funksionit që ajo kryen. Dëshmi e kësaj janë raportimet e pakta të kryera nga qytetarët. Me gjithë rëndësinë që ka ajo për vetë funksionin që kryen, QKKB-ja do të ndërmarrë një fushatë, si për promovimin dhe njohjen e saj në publik. Sipas Jakajt, krijimi i kësaj qendre në Shqipëri ndihmon për vlerësimin dhe parandalimin e efekteve anësore dhe të gjitha problemeve të tjera që lidhen me konsumimin e barnave, pasi kjo fushë konsiderohet si mjaft e rëndësishme. “Është vënë në dispozicion të qytetarëve, mjekëve, ambulancave dhe spitaleve numri i tel. 2376-045 dhe adresa e e-mail-it informacion@qkkb.gov.al, për të mundësuar raportimin e të gjitha efekteve anësore të barnave, si dhe veprimin e tyre pas periudhës së regjistrimit”, - thotë Besnik Jakaj. Sipas tij: “Kjo nismë është marrë duke pasur parasysh nevojën e implementimit të kësaj fushe në vendin tonë, në përputhje edhe me direktivat e fundit të Bashkimit Evropian dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›