E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfida e tradicionalëve në të djathtën bashkëkohore



Kur një shkrimtar pragnobelist u pyet se çdo të thoshte kompjuteri për të, ai u përgjigj se e konsideronte si një arritje e kohës, edhe pse nuk hiqte dorë nga pena. Kur u pyet një muzikolog i njohur se çfarë do të thoshte për të muzika kontemporane (bashkëkohore - shën. im), ai u shpreh se edhe pse e çmonte, jeta e tij nuk kishte kuptim pa muzikën klasike.

Deri në sanksionimin e aleancës më të gjerë të të djathtëve të qendrës në historinë e tyre politike, - konkretisht, mes demokratëve gjithëpërfshirës bashkëkohorë dhe ballistëve e zogistëve tradicionalistë, - procesi i farkëtimit të kësaj aleance natyrore ka rrjedhur në rrugën e gjatë e të vështirë drejt njohjes së ndërsjellë. Për më tepër, çështja e mirëfunksionimit të dy barkusheve të së njëjtës zemër, jo në pak raste ka shkaktuar efekte takikardie, prej nga kanë përfituar si të majtët tradicionalë, ashtu edhe ata "të rinovuar". Për rrjedhojë, efektivet kolaterale të kësaj akordance në progres, kanë bërë që partnershipi "qendër e djathtë dhe e djathtë" të mos funksionojë optimalisht dhe i mirëkolauduar për shkaqe objektive e subjektive.

Gati 15 vjet më parë, "klasikët" e panë të udhës të aleanconin 'shkodranisht' me njëri-tjetrën, kundër asaj që në masë jo pak të konsiderueshme e vlerësonin si 'tandemi' socialisto-demokrat. Prej këtej, duhet pranuar se vetë klasicizmi pësoi një mutacion gjenetik. Republikanistët tradicionalë u bashkuan me monarkistët tradicionalë (DBSH-ja), kur u orvatën për të lëvizur nga llogoret e viteve '30, e njëherazi, për të marrë mbi shpinë sfidën tradicionalë v.s. bashkëkohorë. Më pas, erdhën ditët e vështira për bashkëjetesën ndërsistemore, ku u ravijëzua qartazi profili politik i klasikes "me dy krena": rreshtimi i zogistëve në krah të forcave të djathta dhe "kapelloja e hedhur mbi kokë" nga Abas Ermenji, kur ky i fundit bashkëngjiste politikën balliste me forcat e majta (..."më mirë bashkëpunoj me socialistët sesa me Berishën dhe të birin e Ahmet Zogut"..., u shpreh ai në një konferencë për shtyp të mbajtur në zyrat e PBK-së, disa ditë para se të mbahej kongresi i PBK-së më 1-2 qershor 1998).

Ndërkohë, forcat demokratike po përjetonin periudhën më të vështirë të mbijetesës së tyre politike. Zelli i kreut të demokratëve, z. Berisha, për të rimarrë rolin e liderit të demokratëve, ndërkohë që ndaj tij adresoheshin kritikat më të ashpra ndaj mënyrës se si (nuk) reagoi qeveria e tij në Vlorë, ngjan për shumë njerëz si një tentativë për të rikuperuar rolin e Partisë Demokratike, si garantuese e mëtutjeshme e paqes së brendshme dhe sigurisë në vend e rajon. Sigurisht, kreditë dhe investimi i saj politik për këtë rol, - në pajtimin kombëtar së brendshmi dhe në përshpejtimin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, "së jashtmi", - nuk duket të ishin të papërfillshme, nëse u referohemi asokohe edhe të majtëve të Majkos e Metës.

Gjer në kapërcyell të vitit 2000, Bashkimi për Demokraci dhe DBSH-ja operuan në dy nënsisteme të ndryshme ideologjike. Të parët, në vijim të mbijetesës politike dhe orvatjeve për të rikuperuar imazhin politik të dëmtuar rëndë nga rrënimi i firmave huamarrëse, ndërsa DBSH-ja (pa ballistët e legalistët brenda saj, përveç një zgjatimi ermenjist) vazhdonte të funksiononte si "e djathta e së majtës në pushtet" - siç e ka vlerësuar i burgosuri i ndërgjegjes, z. Engjëll Kokoshi, në gazetën "Tema javore". Më tej, pas shkrirjes së DBSH-së së katandisur si kokoshi në një thelë, - fryt i rezultatit 2.1 për qind të marrë në zgjedhjet lokale, - me bekimin e vetë z. Ermenji, ermenjistët e mbetur në këtë aleancë pranuan t'i bashkëngjiteshin "Bashkimit për Fitore". Thënë ndryshe, Abas Ermenji pranoi ipso facto të bashkëpunonte edhe me "satrapët Berisha dhe Zog", sipas tij. Ajo që mbetet disi nën pluhurin e harresës, është fakti se DBSH-ja i mbeti në shfrytëzim inercik z. Dashamir Shehi, që më pas u detyrua t'i rikthehej siglës së tij legale, PDRn.

Nga ana e tij, koalicioni mes "klasikëve" dhe "bashkëkohorëve", ridha në vitin 2001 thuajse të njëjtat fryte politike që dha në vitin 1991-1992. Për herë të parë, e majta e riardhur dhunshëm e përdhunshëm në pushtet u detyrua edhe nga presioni ndërkombëtar të kompensojë votëvjedhjen masive nëpërmjet dhënies së konsensusit për presidentin pararendës të z. Topi. Ndërsa në vitin 2005, kur DBSH-ja kishte pak kohë që kishte dhënë shpirt, u gjykua si frytdhënëse që e djathta dhe qendra e djathtë të operonin ndryshe nga njëra-tjetra, edhe pse mes tyre nuk kishte asnjë ndryshim tek gjykimi se e majta ishte 'e keqe aspak e nevojshme dhe aspak e domosdoshme'. Në këtë klimë politike lindi LZHK-ja, e cila u bekua nga Mbreti Leka, për t'u përdorur si një alternativë "tutje të majtës dhe më tej të djathtës", por që fatkeqësisht u shpërdor politikisht e mediatikisht nga elementët "sipër të djathtës e poshtë të majtës".

Më konkretisht, republikanistët e thekur si Niko Kirka e Skënder Shkupi, të njohur prej kohësh si antizogistë të regjur dhe antiberishianë 24 karat, morën dhunshëm frenat e drejtimit të LZHK-së, duke pasur në krah edhe z. Dashamir Shehi të ish-DBSH-së. Se sa ky i fundit është zogist, do të mjaftonte edhe vetëm një emision si ai i "Bla-bla"-së në TV "Koha", për t'i dhënë fund dilemës me siglën mbretërore LZHK. E për më tepër, ai që e bekoi këtë formacion politik, vetë Mbreti Leka, u shpreh publikisht pak kohë pas zgjedhjeve se ..."LZHK-ja nuk mund të kishte më funksione politike, pasi kishte funksionuar vetëm si formacion elektoral. Më tej, Mbreti Leka deklaronte publikisht se mbështeste PLL-në në aleancat e saj politike. Nga ana e saj, fillimisht në mbështetje të bekimit të Mbretit dhe për më tepër nga deklarimi politik i tij në mes të verës së vitit 2005, PLL-ja hodhi hapat e saj me maturi e kujdes, drejt aleancës së saj të natyrshme me ato forca që i bashkonin gjaku i Azemit, gjaku i Kalenjës dhe i Shehut, plumbat mbi Mbretin, prangat mbi Ekremin dhe gurët e poplat e hedhura mbi çatinë e Osman Kazazit. Sakaq, për hir të së vërtetës, duhet thënë se të dyja siglat balliste kishin dhënë kontributin e tyre kreditues në fitoren e korrikut 2005.

Me këto lëvizje politike, u arrit që në zgjedhjet lokale të vitit 2007, forcat e majta të mbeteshin me gisht në bojë si dhe me gisht në gojë. Në vijim, ballistët frashërlinj dhe post-ermenjistë, legalistët e zogistët, demokratët e hershëm, të rinj e të rinovuar, të gjithë së toku, patën kohën e mjaftueshme gjatë viteve 2007-2009, që të konsolidonin e kolaudonin aleancën e ngjizur në vitin 1992, - kësaj radhe edhe mbi prangat e Roshit e Çelos.

Kjo aleancë e natyrshme rezultoi një gjetje me mend dhe në kohën e duhur, e cila shërbeu edhe si dhe një shtegdalje ndaj efekteve adezive prodhuar asohere kur diversiteti mes klasikëve e bashkëkohorëve shndërrohej në divergjencë, sidomos kur katalizatorë ishin shërbimet sekrete të vendeve fqinje. Kësisoj, shpirti i popullit shqiptar reagoi natyrshëm në çlirimin e energjive krijuese edhe për çështjen kombëtare, - si një komb me një qëndrim, - çka i jepte vlerë një politike të jashtme, sa të pavarur aq dhe krijuese, sa rugoviste aq dhe pro Ramushit e të tjerëve pas tij, por, duke mos u bërë as pjesë e kufizimeve paralitike të konflikteve kosovare, as edhe duke mbetur peng i tyre. Rezultati: Kosova e pavarur, Shqipëria me dy këmbë në NATO, me një këmbë në BE. Megjithatë, diversiteti mes forcave klasike dhe bashkëkohore, - tashmë faktik mes këtyre dy blloqeve, - ka përpara një sfidë dymujore, që dhe pse është elektoralisht e mundshme, vlen për t'u parë me kujdes derisa të mbërrihet në një formatim të plotë, duke instaluar edhe "një sistem virus-mbrojtës". Nga ana e tyre, bashkëkohorët ia kanë dalë mbanë të rikthejnë në bazë të gjithë elementët e dalë jashtë korsie në kohë e hapësirë, edhe pse përjashtimi përforcon rregullin. PLD-ja e Ngjelës mbetet aktualisht jashtë piste, me një kryetar që shpërfaq realisht vlera të pamohueshme akademike e juridike, por njëherazi edhe mungesë vlerash fisnikërie, në paaftësinë për të toleruar të ndryshmin në ide dhe të njëjtin në strategji. Thjesht një maverik-akademik i legjislacionit shqiptar, si dhe një 'ostracist' i kohëve moderne.

Ndërkohë, "klasikët" kanë mundur të dalin mbi dallimet ideologjike fanoliste a zoriste, - si dhe të tejkalojnë nënngjyrimet politike frashërlie dhe ermenjiste nga njëra palë dhe ato monarkiste e legaliste nga pala tjetër. Edhe këtu, përjashtimi përforcon rregullin. PDRn-ja e Shehit është ende jashtë korsie. Por, kjo ndodh kur elementi kryepartiak me vlera të pamohueshme politike, oratorike e profesionale, shfaq njëherazi doza megalomanie e mitomanie, me mangësi të theksuara të vlerësimit ndaj të tijve. Ai perceptohet më shumë si një individualist që rreket të sulmojë brenda radhëve sesa si një individ konsekuent në përballje me "rraqet e vjetra".

Përmbledhtazi, evolucioni demokratik në Shqipëri, pavarësia e Kosovës, ndryshimet politike në Maqedoni, katër deputetët shqiptarë në Mal të Zi, si dhe të drejtat në progres të çamëve në Greqi i shndërrojnë shqiptarët në faktorin më të rëndësishëm në Ballkan për paqe, stabilitet e siguri rajonale. Ndërsa në planin kombëtar, shërbejnë njëherazi edhe si një 'mesazh i dërguar' Perëndimit se "aleanca klasikë-bashkëkohorë" fifty-fifty, tashmë nuk shërben më si një alternativë për krenari pa kufi. Qysh tani e më pas, tradicionalistët mund të shërbejnë denjësisht e realisht si pjesë komplementare e kësaj ngadhënjim-fitoreje. Sa më herët që të pranohet ky pozicionim pragmatist e larg euforisë, aq më e lehtë do të jetë sfida me forcat "për ndrysh(k)im", në të njëzetetetën ditë të qershorit.

Gjithsesi, sfida e klasikëve e ka një kut matës. Pas përndjekjes gjysmëshekullore nga komunizmi, do të jenë apo jo të aftë të ndjekin njërin, më shumë sesa 'të përndjekin' njëri-tjetrin, nëse do të jenë po aq të aftë elektoralisht të balancojnë a tejkalojnë përqindjen e LSI-së dhe të komplementojnë PD-në në mbërritje të shifrës 70 deputetë. Ndërkohë, sfida e PDI-së dhe aleatëve si PR, PBL, PAA dhe PAD apo edhe të tjerë, është dhe më e thjeshtë. A do të jenë të aftë të balancojnë a tejkalojnë votat në Parlament të partisë së kryesuar nga z. Dule, në mënyrë që numri 70 në Parlament të tejkalohet pa problem? Kësisoj, edhe deputetët "e pakicës" në këtë rast do të kishin vlerë të shtuar dhe PBDNJ-ja do të rezultonte një gur i çmuar i "Aleancës së Periferisë" (perifrazoj ish-ministrin e Jashtëm izraelit, Ben Ami), e jo thjesht një 'tatim qarkullimi' për ekzekutivin shqiptar. Si shenjë kjo dalluese e tolerancës ndërshekullore e mazhorancës së shqiptarëve ndaj minorancës joshqiptare, çka përbën edhe një 'detyrë shtëpie' për anëtarësimin e plotë të shqiptarëve në BE.

Nga ana tjetër, deputetët e Metës dhe Zhejit do të përbënin realisht një vlerë të mirëfilltë opozitare, sa të nevojshme aq edhe të domosdoshme në simfoninë dhe harmoninë e pluralizmit demokratik në Shqipëri. Kësisoj, integrimi nën logon e tyre partiake, LSI, dhe integrimi në moton elektorale të qeverisë së djathtë, do të kishte edhe matematikisht një emërues të përbashkët. Sakaq, për të sfumuar rolin partiak të anarkistit Erion Veliaj, do të mjaftonte vetëm imazhi publik qoftë edhe 'i heshtur' i monarkistit Princ Leka. Sa për partitë e drejtuara nga Berisha e Rama, ka shumë mënyra njerëzore e fisnike për t'i uruar a ngushëlluar respektivisht në fund të qershorit. Qoftë si Berluskonin e Fillonin, e qoftë si Segolenin e Veltronin. E rëndësishme është që makina elektorale e të djathtës shqiptare "të nxitojë, por ngadalë", sipas kuptimit të një idiome në gjuhën franceze.

P.s. ostracizmi - sipas legjislacionit të athiniotëve të shek. 6 para erës sonë, kur kuvendi i tyre (eklezia) grumbullonte 6000 vota kundër një qytetari me tendenca të theksuara megalomanie e tiranie, personi detyrohej të largohej nga vendbanimi për nëntë vjet në radhë, pa humbur as të mirat materiale, as edhe nderimin vetjak. Ostracizmi vjen nga ostrakos, që do të thotë një copë e thyer poçeje, balte a qelqi, me të cilën shkruhej/gërvishtej emri i personit dhe masa e dënimit ndaj tij ( Il Novissimo Melzi-Scientifico - fq. 992).

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›