Sherri në lokal, plagoset një polic dhe shoku i tij
Shkaku, sipas policisë, për motive banale
Identifikohet autori, policia në ndjekje të tij
Një polic dhe shoku i tij janë plagosur në këmbë pas konfrontimit që kanë pasur me një shtetas në qytetin bregdetar të Durrësit. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në plazh, ku polici 27-vjeçar Vlash Ashiku ka qenë duke pirë kafe me një mikun e tij nga Durrësi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 të ditës së djeshme. Polici 27-vjeçar nga Dibra, Ashiku, kishte shkuar në Durrës për të takuar mikun e tij, Sehad Muda. Sipas burimeve zyrtare policore, ndërsa ndodheshin në lokal, janë konfrontuar me një person, i cili ishte i armatosur dhe u ka qëlluar. Mësohet se polici, i cili në momentin e konfrontimit ishte i veshur civil dhe miku i tij, kanë marrë plagë të lehta në këmbë. Dy të plagosurit janë dërguar menjëherë në spitalin rajonal për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Sipas mjekëve të spitalit të Durrësit, të cilët bënë menjëherë ndërhyrjet tek të plagosurit, gjendja e tyre paraqitet më e mirë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Autori i kësaj plagosjeje, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, është shpallur në kërkim. Sipas burimeve policore, mësohet se shkaku i këtij sherri ka qenë për motive banale. Grupi hetimor ka shkuar dhe ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërkohë që hetuesit kanë marrë në pyetje efektivin e policisë lidhur me shkakun e këtij konflikti që çoi në nxjerrjen e armëve. Policia e Durrësit ka ngritur postblloqe për kapjen e autorit të kësaj plagosjeje, pasi e ka identifikuar në kohë mjaft të shkurtër atë.