E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita, akuza qeverisë për kartat e identitetit, privatizimet dhe krizën ekonomike

Braçe: “Qeveria po dështon qëllimisht pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime”. Bello: “Shqipëria po vuan krizën, qeveria shpenzon miliona euro në reklama”

Opozita ka hedhur akuza ndaj qeverisë për dështimin e qëllimshëm të procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Deputetët e PS-së, gjatë fjalës së mbajtur gjatë seancës së djeshme parlamentare, akuzuan qeverinë si të paaftë për të marrë masat e duhura për të përballuar krizën ekonomike që ka prekur vendin. Sipas deputetëve të PS-së, qeveria po bën privatizime të gabuara të aseteve shtetërore në prag të krizës ekonomike.
Letërnjoftimet
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, deklaroi se procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti ka probleme të tilla që cenojnë të drejtën kushtetuese për të votuar. Duke përmendur vonesat, Braçe theksoi se problemet janë të qëllimshme mes qeverisë dhe kompanisë që merret me prodhimin e kartave.
Braçe deklaroi se probleme të tilla si mungesa e energjisë elektrike apo ndërprerja e lidhjes online janë përpjekje të qëllimshme për të cenuar procesin. Braçe ka theksuar se veprimi i djeshëm i Presidentit Topi, i cili pasi bëri aplikimin për kartën e identitetit u bëri thirrje qytetarëve të pajisen me karta, ka qenë vetëm një përpjekje e dështuar për t’i dhënë kredibilitet një procesi të dështuar. Braçe gjithashtu vuri në dukje se lista e Ministrisë së Brendshme me emrat e personave që nuk kanë pasaportë nuk është e vërtetë. Duke iu referuar shifrave të Bashkisë së Beratit dhe Kuçovës, Braçe tha se ata disponojnë shifra të tjera në krahasim me atë të Ministrisë së Brendshme. Pas kësaj ka replikuar ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili e cilësoi spekulim deklaratën e Braçes. Ai tha se procesi po ecën normalisht dhe kërkoi që të vihet në dispozicion të Ministrisë qoftë edhe një emër që nuk ndodhet në listën e Ministrisë.
“Procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime po ecën në mënyrën më normale. Në të gjithë territorin e vendit janë vendosur të gjitha kapacitetet e nevojshme të aplikimit për letërnjoftimet elektronike. Deri sot kanë realizuar aplikimin e tyre afro 200 mijë shtetas shqiptarë. Gati 40% e qytetarëve që kanë aplikuar janë qytetarë që nuk disponojnë pasaportë. Lista e personave që nuk disponojnë pasaportë është një listë transparente zyrtare e bërë nga Ministria e Brendshme dhe që ia ka dërguar çdo komune dhe bashkie. Çdo qytetar ka aksesin për të verifikuar nëse ndodhet apo jo në këtë listë. Deklaratat e opozitës janë të pavërteta. Ju kërkoj të më jepni listën që keni ju qoftë dhe me një emër dhe ta verifikojmë është apo jo. Unë mbaj përgjegjësi nëse mungon një emër”, - është shprehur Nishani.
Kriza ekonomike
Ndërsa deputeti Marko Bello vuri theksin në paaftësinë e qeverisë për të marrë masa për të përballuar krizën ekonomike. Sipas tij ndryshe nga rekomandimet e FMN-së që të ulen shpenzimet, Berisha ka shtuar borxhin e jashtëm vetëm e vetëm për të krijuar iluzionin se ekonomia e vendit po forcohet, por edhe për të mundësuar pasurimin e pushtetarëve dhe të të afërmve të tyre përmes investimeve që bien erë fushatë elektorale.
“Në këtë situatë të vështirë ekonomike, me këtë papunësi në rritje e me këtë varfëri që po i çon njerëzit në dëshpërim të thellë, spotet televizive mbi gjoja sukseset e mëdha të qeverisë janë një tjetër provë e abuzimit me paratë e taksapaguesve të varfër shqiptarë, si dhe një përpjekje e dështuar për të mashtruar edhe një herë të gjithë ata që do t’u drejtohen kutive të votimit më 28 qershor. Ky është një agresion i pastër dhe kriminal që shantazhon qytetarët dhe ushtron presion psikologjik dhe financiar mbi mediat”, - është shprehur Bello. Ndërsa deputeti Andis Harasani, duke e cilësuar situatën në të cilën ndodhet vendi si paradhomë të krizës ekonomike, e cilësoi të gabuar shitjen me çmime të ulëta të aseteve shtetërore në kuadër të procesit të privatizimit. “Vendi është në paradhomën e krizës ekonomike edhe për ata që nuk kanë sy ta shohin, edhe për ata që nuk duan të dëgjojnë kambanat e saj. Të premten, qeveria shqiptare me një vendim të saj ka ulur gati në gjysmë vlerën e OSSH-së të privatizuar. Borxhet e saj i kalojnë KESH-it, asetet i mbeten OSSH-së. Një kompani që vetëm katër vjet më parë arrinte të nxirrte deri në 100 milionë euro fitim në vit, sot shitet me vetëm gjysmën e kësaj vlere.
Është bërë tashmë e zakontë që, menjëherë mbas përfundimit të tenderave të caktuar, ndryshojnë kushtet e tij. Kështu ka ndodhur me privatizimin e telefonisë fikse, kështu ndodhi me koncesionet për hidrocentralet në kaskadën e Devollit, kështu ndodhi me ARMO-n”, - është shprehur Harasani.

10 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›