Berisha: “Shqipëria, e vendosur të paraqesë kandidaturën për në BE pavarësisht ngurrimeve”
“Shqipëria parashikon të paraqesë kandidaturën për në BE deri në fund të qershorit, edhe pse kriza ekonomike dhe të panjohurat rreth ratifikimit të Traktatit të Lisbonës nuk janë të favorshme për zgjerimin e Bashkimit Europian”, -deklaroi kryeministri shqiptar, Sali Berisha. Gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve franceze, Berisha tha se “Shqipëria mori dritën jeshile "në parim" nga presidenca çeke e Bashkimit Europian për gjashtëmujorin e parë të vitit për të paraqitur kandidaturën e saj deri në fund të qershorit, por asnjë datë nuk është caktuar ende”. Me paraqitjen e kandidaturës së vendit të tij në Bashkimin Europian, kryeministri sigurisht që ka patur si pikësynim zgjedhjet legjislative të 28 qershorit, duke shpresuar që të përfitojë nga kjo iniciativë përpara shqiptarëve.
Komisioneri europian për Zgjerimin, Olli Rehn, theksoi së fundi përpara disa mediave shqiptare se zhvillimi i mbarë i këtyre zgjedhjeve, konform standardeve europiane, ishte për Brukselin thelbësor dhe prioritar, përpara se Shqipëria të përparojë drejt perspektivave të saj europiane. E thënë ndryshe, me paraqitjen e kandidaturës për statusin e vendit kandidat të BE-së. Zgjedhjet në Shqipëri, që prej rënies së komunizmit në fillim të viteve '90, gjithmonë kanë lënë vend për kontestime dhe incidente mes grupimeve politike rivale. Megjithatë, Shqipëria ka miratuar së fundi një ligj të ri elektoral që pritet të bëjë të mundur shmangien e manipulimeve të ndryshme. Disa shtete anëtare të Bashkimit Europian e shohin me ngurrim paraqitjen e kandidaturave të reja në BE, ndërkohë që kriza institucionale e Bashkimit Europian, me ratifikimin që po i bëhet Traktatit të Lisbonës dhe që u ndërprenë me referendumin e Irlandës, nuk është zgjidhur ende. Paraqitja e kandidaturës është vetëm hapi i parë drejt sigurimit të statusit të vendit kandidat, që mund të zgjasë shumë dhe që sigurisht kërkon miratimin e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Opozita e majtë shqiptare e ka kapur këtë argument duke këmbëngulur në paraqitjen e kandidaturës pas zgjedhjeve legjislative. Një paraqitje e tillë rrezikon, sipas saj, të mbetet pa efekt për shumë kohë. Berisha e ka pranuar se kriza aktuale, e karakterizuar nga rritja e papunësisë, mund "të krijojë një ndjenjë ngurrimi" tek europianët. Një ngadalësim i vrullit të zgjerimit "rrezikon të shkurajojë opinionin publik" që në Shqipëri është shprehur në shumicën dërrmuese për anëtarësimin në BE, - theksoi kryeministri, drejtuar shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Ai shprehu besimin se BE-ja do të dijë të vlerësojë "përpjekjet tona", veçanërisht në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në vitin 2005, "ky vend mbizotërohej nga krimi i organizuar. Qytete, fshatra, rrethe të tëra ishin një lloj protektorati i krimit të organizuar. Ky i fundit kontrollonte doganat, pikat e kalimit kufitar, portet", - theksoi Berisha. “Sot, më tepër se një mijë kriminelë, që fshiheshin jo vetëm në Shqipëri, por edhe në hotelet me pesë yje në metropolet eruopiane, i janë dërguar Drejtësisë”, - shtoi Berisha, duke premtuar një tolerancë zero kundër krimit të organizuar. Në fund, Berisha shprehu kënaqësinë e thellë për anëtarësimin së afërmi të vendit të tij në NATO, në muajin prill, duke e vlerësuar këtë si "ngjarjen më të madhe për vendin tim pas pavarësisë" nga Perandoria otomane, në vitin 1912. "Është një ëndërr që po bëhet realitet", - shtoi kryeministri, duke siguruar se vendi i tij ishte i hapur për çdo gjë që mund t'i kërkonte Aleanca Atlantike.
10 Mars 2009