E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barnat e rimbursuara, të mërkurën lista në qeveri

Është arritur të zhbllokohet lista e barnave të rimbursushme dhe pritet që në mbledhjen e ardhshme të qeverisë të miratohet. Burime pranë Ministrisë së Shëndetësisë bëjnë të ditur se janë siguruar fondet e domosdoshme pa cenuar listën e barnave. Brenda muajit tregu do të furnizohet me barnat e rimbursueshme, ndërsa farmacitë do të kenë edhe listën përkatëse.
Problemi
Për rreth një muaj, konflikti mes grosistëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë ka vonuar hyrjen në fuqi të listës së barnave të rimbursueshme. Sipas grosistëve, rritja e çmimit të euros në tregun e këmbimit të valutës sjell humbje në biznesin e tyre. Madje, ata kanë kërcënuar për mosfurnizim të tregut me barna të rimbursueshme për këtë shkak. Nga rritja e çmimit të euros, grosistët e ilaçeve kanë hezituar të bashkëpunojnë me shtetin, pasi llogaritja e tregtimit dhe shitjes së barnave po bëhet sipas kursit të këmbimit të valutës.
Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë prej vitit të kaluar kishte kryer të gjitha procedurat për futjen në fuqi të listës së barnave të rimbursueshme që në janar të këtij viti. Një tjetër pengesë ka qenë edhe Ministria e Financave, e cila ka kthyer listën për rishikim, për shkak të kostos së lartë të saj.
Por mësohet se tashmë situata është zgjidhur, pasi Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor kanë arritur të sigurojnë fonde shtesë pa cenuar listën e barnave. Pas kësaj, lista e re është gati dhe të mërkurën e javës së ardhshme, paraqitet në Këshill të Ministrave për t’u miratuar.
Lista
Fondi i vënë në dispozicion këtë vit nga Ministria e Shëndetësisë për ilaçet e rimbursueshme është 5.3 miliardë lekë. Këtë vit, në listë janë shtuar edhe 16 alternativa të reja që, sipas ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, këto alternativa vijnë për patologji që prekin një numër të madh pacientësh. Por kjo listë ka edhe kombinime të reja mjekimesh, të cilat përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e shërbimit për moshën e tretë për sëmundje si astma bronkiale, epilepsia etj.
Përpos barnave që mbulojnë diagnoza të reja dhe kombinimeve të reja të mjekimit, në këtë listë janë shtuar formë-doza të reja të barnave, që janë në listë, të cilat kanë përdorim më të përshtatshëm për fëmijët, të sëmurët kronikë etj., duke sjellë një përmirësim të cilësisë së shërbimit.
Me shtimin e barnave të reja, si dhe bazuar në konsumin e barnave të rimbursueshme të vitit të kaluar e duke pasur parasysh rritjen natyrale të sëmundshmërisë, për rimbursimin e barnave për vitin, ISKSH-ja do të monitorojë në vazhdimësi ecurinë e rimbursimit, pasi ky hop sasior dhe cilësor në listën e barnave ka efekte financiare të konsiderueshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›