Vret me sopat nënën 75-vjeçare, plagos të bijën
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në rrethin e Librazhdit, ku një 53-vjeçar ka vrarë nënën e tij me sopat dhe ka plagosur të bijën. Ngjarja ndodhi në pasditen e djeshme në fshatin Prevadh. Sipas burimeve nga policia, autori i kësaj ngjarjeje është Haki Miska, i cili është shpallur në kërkim. Ndërkohë që viktimë e këtij sulmi makabër ka qenë 75-vjeçarja Dije Miska, ndërsa mbeti e plagosur 18-vjeçarja Besjana. Policia ka shkuar në vendngjarje ku ka nisur hetimet dhe po punon për arrestimin e autorit të kësaj ngjarjeje. Sipas burimeve nga policia, rreth orës 17:30 të ditës së djeshme në sallën operative të komisariatit të Librazhdit është marrë një informacion për një ngjarje të ndodhur në fshatin Prevadh të këtij rrethi. Menjëherë uniformat blu shkuan në vendngjarje, ku në banesën e familjes Miska gjetën trupin e pajetë të një të moshuare. Nga ekspertiza e kryer u vërejt se viktima kishte humbur jetën si pasojë e goditjeve të shkaktuara me mjete mprehëse. Si autor i kësaj vrasjeje ishte i biri i viktimës, i cili kishte plagosur edhe vajzën e tij gjatë sulmit. 53-vjeçari, pas ngjarjes ishte larguar në drejtim të paditur, duke iu shmangur arrestimit. Adoleshentja e plagosur kishte një goditje në trup, duke u dërguar më pas në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas burimeve nga policia, 18-vjeçarja është plagosur, ndërsa po përpiqej që të ndalonte të atin që të godiste gjyshen me sopat. Por ka mbetur edhe vetë viktimë e sulmit. Ndërkohë që e moshuara nuk ka mundur të mbijetojë dot dhe ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra. Policia ka ngritur kontrolle në të gjithë zonën dhe po punon për arrestimin e autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë.