Barnat e rimbursueshme, ja 16 alternativat e reja
TIRANE-Në listën e re të barnave janë shtuar 16 ilaçe të reja. Kryesisht këto medikamente janë për sëmundjet endokrine, por një pjesë e tyre është edhe për zemrën e tensionin. Ndërkohë që një prej alternativave që është shtuar është për kurimin e mykut dhe të syve. Por, normalisht, edhe për këtë vit në listën e barnave të rimbursueshme nga shteti më shumë përparësi u është dhënë sëmundjeve kronike. Gjatë viti 2009, drejtoresha e ISKSH-së ka bërë të ditur se sëmundjet kronike përbëjnë 98% për qind të vlerës së rimbursimit, ndërsa sëmundjet akute vetëm 2 për qind. Sipas specialistëve, lista e barnave të rimbursueshme siguron barnat e domosdoshme për trajtimin e të sëmurëve. Në këto lista përfshihen edhe barnat alternative, në rastet e mungesës së efikasitetit të barit, reaksioneve alergjike dhe pamundësisë së përdorimi të tij. Grupet më të mëdha të sëmundshmërisë kronike me diagnozat e rimbursuara, janë: sëmundjet e sistemit kardiovaskular, psikozat skizofrenike, astma bronkiale, epilepsi, sëmundjet respiratore, sëmundjet endokrine, insuficiencë kronike e veshkave si dhe glaucoma etj. Cilësia Përfituesit kryesorë të rimbursimit të barnave janë pacientët që vuajnë nga sëmundjet e rënda dhe kronike. Ata i marrin ato falas ose me gjysmë çmimi nga rimbursimi i barnave. Pacientët që përfitojnë më tepër nga rimbursimi i barnave janë të moshuarit dhe fëmijët. Një vend të rëndësishëm për rimbursimin e barnave e zënë sëmundjet kronike, të cilat kërkojnë kurim të vazhdueshëm dhe përdorimin e më tepër medikamenteve. Ankesat për listën e barnave të rimbursueshme janë vënë gjithmonë në qendër të vëmendjes nga shoqata e pensionistëve, të cilët kërkojnë më shumë cilësi dhe barna. Edhe për këtë vit, pensionistët janë ankuar për shkak të cilësisë së dobët të barnave që u janë rimbursuar. Sipas tyre, në listën e rimbursimeve janë barnat që janë më të lira dhe që japin më pak efekt për kurimin e sëmundjeve. Për këtë arsye, ata ankohen se nuk u japin efekt barnat e marra nga rimbursimi dhe shpeshherë detyrohen të blejnë barna të tjera të së njëjtës familje, por më cilësore dhe me një kosto më të lartë. Madje, pretendimet e tyre janë se, edhe formë-dozat e miratuara nga specialistët janë të një cilësie të dobët.(d.b/GSH/BalkanWeb)