E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barnat e rimbursueshme, pensionistët kërkojnë listën e vitit 2005



Rimbursimi që mosha e tretë përfiton nga shteti për ilaçet nuk është i njëjtë për të gjitha kategoritë. Kush ka pensionin e ulët, merr barnat e alternativës së parë, që janë tërësisht të rimbursueshme, ndërsa një pjesë tjetër merr dhe ato të alternativës së dytë apo të tretë duke paguar diferencën e çmimit. Por, ka dhe një kategori tjetër pensionistësh, barnat e të cilëve nuk rimbursohen. Në këtë rast ata ankohen se i gjithë pensioni ju shkon për të blerë ilaçet e nevojshme. Për këtë arsye, mosha e tretë nuk është e kënaqur nga mundësitë që i ofron shteti për sa i takon shëndetësisë. Konkretisht, lista e ilaçeve me rimbursim nuk ofron shumë medikamente dhe një pjesë të atyre barnave që janë vërtet cilësore dhe kanë efekt, sipas pensionistëve, blihen në mënyrë private. Por jo vetëm kaq, ata janë të detyruar të bëjnë ekzaminime te privati ose të paguajnë për analizat rutinë, vetëm sepse në sistemin publik janë të prishura aparaturat ose sepse nga to rezultatet nuk jepen ashtu siç duhet. Pensionistët e kanë lënë “sahatin” në vitin 2005, atëherë kur lista e barnave përfshinte në rimbursim gjithçka dhe mundësi të gjerë për të përfituar barna nga shteti. Kanë kaluar katër vjet dhe lista ka pësuar ndryshime, që sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë cilësore. “Nuk jemi të kënaqur as me listën e re të barnave dhe as me ilaçet që kjo listë ofron. Kërkojmë barna më cilësore, një gamë më të gjerë rimbursimi dhe ilaçe efektive”, - tha kreu i Sindikatës së Pensionistëve, Isa Gorica. Sipas tij, edhe kjo listë barnash nuk ka përfshirë ato ilaçe që mosha e tretë kërkon. “Lista e re e barnave është e pakët dhe nga viti në vit nuk ka shtim të alternativave, kërkojmë një listë të ngjashme me atë të vitit 2005, e cila, jo vetëm që kishte barna të shumëllojshme, por ishin si cilësore, ashtu edhe efektive”, - theksoi Gorica. Sakaq, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, barnat e reja të futura në listë janë të një cilësie të lartë, pasi janë ilaçe të cilat janë futur si pjesë e trajtimit në vendet perëndimore, ndërsa vendet e prodhimit janë të njohura për këto shërbime.

Masa e kompensimit sipas kategorive

Masa e kompensimit që përfitojnë pensionistët do të vazhdojë të jetë e njëjtë edhe pse mjaft mallra dhe shërbime kanë njohur rritje të çmimit. Sipas vendimit të qeverisë për rritjen e pensioneve, pensionistëve, atyre që përfitojnë pensione qyteti, pleqërie, invaliditeti dhe familjar, edhe mbas rritjes, nuk u preken të gjitha kompensimet e të ardhurave mujore të përfituara nga vendimet e veçanta të Këshillit të Ministrave. Në po të njëjtin vendim, qeveria ka vendosur që kompensimi të jetë i përcaktuar dhe i paprekur, edhe pse pensionet janë rritur kohët e fundit. Kështu, qeveria ka vendosur se pensionet e reja të qytetit, do të kompensohen sipas kritereve të përcaktuara, atëherë kur të ardhurat mujore të tyre rezultojnë në shumën deri në 10 410 lekë. Të ardhurat mujore të pensionistëve të qytetit, që do të përfitojnë pensione të pjesshme, pleqërie, invaliditeti dhe familjare, do të kompensohen në proporcion mes pensionit individual të llogaritur dhe pensionit të plotë minimal, por jo më shumë se 760 lekë në muaj dhe në çdo rast kur shuma e të ardhurave të tyre mujore është në kufirin deri në 10 410 lekë. Në rast se pensioni bazë është më i lartë se shuma 10 410 lekë, atëherë pensionisti nuk ka të drejtë për të kërkuar kompensim financiar. Pensionet e reja të fshatit, do të kompensohen sipas kritereve të vendosura, që kompensimi i të ardhurave mujore të pensioneve të fshatit të bëhet, atëherë kur të ardhurat mujore të tyre rezultojnë në shumën deri në 5 410 lekë. Ndërsa të ardhurat mujore të pensionistëve të fshatit, që do të përfitojnë pensione të pjesshme, pleqërie, invaliditeti dhe familjare, do të kompensohen në proporcion mes pensionit individual të llogaritur dhe pensionit të plotë minimal, por jo më shumë se 690 lekë në muaj dhe në çdo rast kur shuma e të ardhurave të tyre mujore është në kufirin deri në 5 410 lekë. Në rast se pensioni bazë është më i lartë se shuma 5 410 lekë, atëherë pensionisti nuk ka të drejtë të kërkojë kompensim financiar.

Lista e mallrave dhe e shërbimeve të shportës së pensionistit

Zërat kryesorë të shpenzimeve të konsumit në % ndaj totalit
Ushqim 62.0
Shpenzime për energji elektrike 5.6
Shpenzime për lëndë djegëse 5.0
Shpenzime telefoni 2.5
Shpenzime për ujë 1.0
Shpenzime për pajisje afatgjatë 0.8
Shpenzime për shëndetin 7.4
Shpenzime për detergjente, etj. 5.7
Transport 2.0
Kulturë, argëtim 1.2
Duhan, pije alkoolike 3.0
Shërbime 0.3
Veshje 1.8
Artikuj shtëpiakë 0.3
Shpenzime për ceremoni 1.1
Kujdes personal 0.2
Të tjera shpenzime 0.1
Shpenzime gjithsej 100.0

24 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›