E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë rikthen në punë tre gjyqtarët e Vlorës



Tiranë - Gjykata e Lartë rrëzon tri vendime të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Që nga dita e djeshme tre gjyqtarët e Vlorës mund të kthehen në detyrën e tyre si gjyqtarë. Vendimi i djeshëm i Kolegjeve të Bashkuara ka gjykuar se përjashtimi nga radhët e Gjyqësorit të tre gjyqtarëve të Vlorës, Gjinofeva Gaba dhe dy gjyqtarët e shkarkuar pas saj, Vasil Hanxhari dhe Sokol Ngresi, janë të padrejta. Kjo nuk është hera e parë kur Kolegjet e Bashkuara rrëzojnë vendimet e anëtarëve të KLD-së. Mirëpo asnjëherë Këshilli nuk i ka zbatuar këto vendime. Për vite me radhë gjyqtarët rendin nëpër dyert e gjykatave për të zbatuar vendimin. Paditë janë depozituar prej kohësh, mirëpo përfaqësuesi i KLD-së kërkoi kohë të njihet me materialet. Për këtë arsye seanca e radhës u përcaktua ditën e sotme. Proceset me Kolegjet e Bashkuara pritet të fillojnë me shqyrtimin e kërkesës së Gjinofeva Gabës dhe më pas me Vasil Hanxharin e Sokol Ngresin. Vendimi i Gjykatës së Lartë përcaktoi dje se KLD-ja nuk ka vepruar drejt që ka lënë në fuqi propozimet për masa ndëshkuese të ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Ministri i Drejtësisë, gjatë vitit 2008, i ka propozuar KLD-së edhe emra të tjerë gjyqtarësh për masa disiplinore, mirëpo vetëm për tre prej tyre Këshilli ka dhënë masa ndëshkuese. Të tre gjyqtarët i përkisnin Gjykatës së Vlorës dhe njëri prej tyre ishte dhe kryetar i kësaj gjykate prej disa kohësh. Të tria masat që ministri Enkelejd Alibeaj propozoi për secilin u pranuan nga ana e anëtarëve të Këshillit, duke votuar pro përjashtimit të tyre nga radhët e Gjyqësorit.

24 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›