E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Mbrojtjes ndryshon masën e qirasë që u paguhet ushtarakëve

Përcaktohet kompensim i ndryshëm në varësi të statusit familjar. Dokumentet që duhen për ta përfituar dhe llojet e banesave që mund të merren

Laureta Rryçi

Tiranë - Ministria e Mbrojtjes ndryshon masën e kompensimit të qirasë për ushtarakët. Burime pranë kësaj ministrie shpjeguan dje për gazetën “Albania” se propozimet për këtë çështje janë miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë, kësisoj pritet që të zbatohen për vitin 2009 e në vijim. Ndryshimet kanë përfshirë të gjithë ushtarakët duke i kategorizuar ata sipas statusit familjar që kanë. Masa e kompensimit është përcaktuar në varësi të numrit të anëtarëve të familjes së ushtarakut që do të përfitojë nga ky ligj. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, çmimin mesatar do ta përcaktojë Ministria e Financave dhe më pas do të realizohet procedura e plotë. Ushtarakët, për të përfituar nga kjo nismë ligjore, duhet të plotësojnë një sërë kushtesh. Ata duhet të përpilojnë një dosje me dokumente që do të vërtetojnë për nevojën e tyre për banesë.
Ndryshimet
Sipas ndryshimeve më të fundit që janë bërë ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura (oficer, nënoficer, ushtar profesionist), që për shkak të detyrës, emërohet ose transferohet larg vendbanimit dhe nuk është trajtuar me banesë ose me kredi nga Ministria e Mbrojtjes, dhe kur ai ose ndonjë pjesëtar i familjes nuk ka banesë në pronësi në vendin e punës, tani e tutje do të përfitojë kompensim për qira banese deri në tre vjet. Ministria e Mbrojtjes ka përcaktuar se masa e kompensimit të qirasë së banesës do të jetë e ndryshme në varësi të statusit familjar që ka ushtaraku. Sipas këtij vendimi, qeveria do të kompensojë 70 për qind të çmimit mesatar mujor të tregut, për qira banese kur ushtaraku është beqar ose i martuar pa fëmijë. Banesa që do të merret me qira në këtë rast duhet të jetë e tipit garsionere. Ndërsa në rastet kur ushtaraku është i martuar dhe ka një fëmijë, atëherë banesa që duhet të merret duhet të jetë e tipit 1+1. Edhe në këtë rast Ministria e Mbrojtjes do t’i kompensojë ushtarakut masën prej 70 për qind të çmimit mesatar mujor të tregut për qira banese. Kompensimi do të jetë më i lartë për ushtarët që janë pjesë e një familjeje me shumë anëtarë. Sipas ligjit të ri, masa e kompensimit për këtë kategori që janë të martuar dhe kanë më shumë se një fëmijë do të jetë 80 për qind e çmimit mesatar mujor të tregut për qira banese. Këta ushtarakë duhet të zgjedhin një banesë të tipit 2+1. Çmimi mesatar i qirasë së banesës tani e tutje do të përcaktohet, çdo vit, nga Ministria e Financave dhe Ministria e Mbrojtjes. Ushtaraku aktiv (oficer, nënoficerët, ushtar profesionist), që përfiton kompensim për qira banese, duhet të paraqesë pranë strukturës ushtarake duhet të paraqesë një sërë dokumentesh për të përfituar këtë kompensim.
Ligji i vjetër
Deri tani ushtaraku i Forcave të Armatosura, që për nevoja shërbimi emërohej në një detyrë jashtë vendbanimit të përhershëm, në të njëjtën kohë atij i duhej të transferonte bashkë me të edhe familjen e tij. Këtij ushtaraku i jepej kompensim për shpenzimet për udhëtim e transport të materialeve të shtëpisë. Shpenzimet përballoheshin nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
Kur ushtaraku i Forcave të Armatosura komandohej në një detyrë tjetër, jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, Ministria e Mbrojtjes i siguron fjetjen dhe transportin. Në rastet kur fjetja dhe transporti nuk i sigurohen nga Ministria e Mbrojtjes, ai përfitonte dieta.

Ndryshimet

Ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura (oficer, nënoficer, ushtar profesionist), që për shkak të detyrës, emërohet ose transferohet larg vendbanimit dhe nuk është trajtuar me banesë ose me kredi nga Ministria e Mbrojtjes dhe kur ai ose ndonjë pjesëtar i familjes nuk ka banesë në pronësi në vendin e punës, përfiton kompensim për qira banese deri në tre vjet.
Masa e kompensimit të qirasë së banesës të jetë:
70 për qind të çmimit mesatar mujor të tregut për qira banese të tipit garsionerë, kur është beqar ose i martuar dhe pa fëmijë;
70 për qind të çmimit mesatar mujor të tregut për qira banese të tipit 1+1, kur është i martuar dhe ka një fëmijë;
80 për qind të çmimit mesatar mujor të tregut për qira banese të tipit 2+1, kur është i martuar dhe ka më shumë se një fëmijë.
Çmimi mesatar i qirasë së banesës përcaktohet, çdo vit, nga Ministria e Financave dhe Ministria e Mbrojtjes.

Dokumentet që duhet të dorëzohen
Ushtaraku aktiv (oficer, nënoficerët, ushtar profesionist), që përfiton kompensim për qira banese, duhet të paraqesë pranë strukturës ushtarake këto dokumente:

Kërkesë për kompensimin e qirasë së banesës
Certifikatë personale
Certifikate familjare
Kontratën e qirasë se banesës të noterizuar
Vërtetimin përkatës se nuk është trajtuar me banesë apo me kredi nga Ministria E Mbrojtjes
Vërtetimin përkatës se aiajo ose pjesëtarët e familjes, nuk kanë banesë në pronësi
Këto dokumente rifreskohen çdo vit

Ligji që është zbatuar deri tani

Kompensimi në rast emërimi ose komandimi në detyrë jashtë vendbanimit

1. Ushtarakut të Forcave të Armatosura, që për nevoja shërbimi emërohet në një detyrë jashtë vendbanimit të përhershëm e, në të njëjtën kohë, transferon dhe familjen, i jepet kompensim për shpenzimet për udhëtim e transport të materialeve të shtëpisë. Shpenzimet përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
2. Kur ushtaraku i Forcave të Armatosura komandohet në një detyrë tjetër, jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, Ministria e Mbrojtjes i siguron fjetjen dhe transportin.
Në rastet kur fjetja dhe transporti nuk i sigurohen nga Ministria e Mbrojtjes, ai përfiton dieta sipas legjislacionit në fuqi.
3. Kriteret dhe masa e kompensimit, të përcaktuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.

E drejta për sigurim banese

Ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura (oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist), të pastrehuar ose me sipërfaqe të vogël banimi, i jepet kredi për strehim nga buxheti i shtetit.
Ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura (oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist), të cilët kur dalin në rezervë, në lirim ose në pension pleqërie dhe janë të pastrehë ose me sipërfaqe të vogël banimi, trajtohen për strehim si ushtaraku aktiv.
Ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura (oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist), i cili është trajtuar sipas këtij neni, kur del në rezervë ose në lirim dhe nuk ka shlyer detyrimet përkatëse vazhdon t’i shlyejë ato si ushtaraku aktiv. Përjashtohen nga e drejta e përfitimit, sipas këtij neni, ushtarakët që dalin në lirim për shkak së dënohen me burg për krime me vendim gjykate të formës së prerë. Kriteret për kredinë dhe masa e saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

24 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›