E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionistët: Qeveria po jep të dhëna të rreme për rritjen e pensioneve

Kreu i sindikatës, Isa Gorica: “Pensionet janë rritur vetëm 3 për qind”. Sindikata e Pensionistëve kundërshton listën e barnave të rimbursueshme

Jonida Tashi

Spotet elektorale të qeverisë për rritjen e pensioneve që shfaqen në ekranet televizive nuk janë të vërteta. Kështu ka deklaruar dje, në një konferencë për shtyp Sindikata e Pensionistëve në vend, përfaqësuesit e së cilës duket se nuk i kanë duruar dot më shifrat që jepen në spotin e herëpashershëm të qeverisë për rritjen e pensioneve. Ndërsa nga njëra anë qeveria trumbeton se ka dyfishuar pensionet në fshat dhe qytet, nga ana tjetër Sindikata e Pensionistëve denoncon shifrat e qeverisë, duke deklaruar se rritja e pensioneve përkthehet realisht vetëm 3 për qind. Sipas pensionistëve, rritja e pensioneve nuk është 70 deri në 100 për qind siç pretendon ekzekutivi, pasi përballë rritjes së çmimeve të mallrave të konsumit, ajo është vetëm 3 për qind. “Pensionet nuk janë dyfishuar. Ne jemi në gjendje të ballafaqohemi edhe me Ministrinë e Financave, INSTAT-in, Bankën e Shqipërisë për këtë çështje, pasi po të krahasojmë rritjen e pensioneve me çmimet aktuale, pensionet janë rritur vetëm 3 për qind”, - pohon kreu i Sindikatës së Pensionistëve, Isa Gorica.
Kompensimi
Përveç pensionit, pensionistët përfitojnë edhe kompensime për vete dhe personat në ngarkim nga ndryshimi i çmimit të lëndëve djegëse, energjisë elektrike, të bukës dhe të artikujve të tjerë ushqimorë. Megjithëse në të gjithë vendin numërohen rreth 550 mijë pensionistë, jo të gjithë do të përfitojnë nga kompensimi i rritjes së energjisë elektrike. Kjo pasi vetëm njëri prej dy pensionistëve do të mund të marrë pagesën prej 500 lekësh. Pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe ato familjare indeksohen çdo vit, për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve. Qeveria ka caktuar listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit. Data e indeksimit të pensioneve është data 1 maj e çdo viti. Me një vendim të posaçëm, qeveria ka përcaktuar kategoritë e pensionistëve që mund të përfitojnë shtesa në pensionet e tyre, si rezultat i rritjes së kostos së jetës. Vendimi i qeverisë detajon edhe masën që përfitohet në kushte të tilla. Duke qenë se pensionistët, në këto momente, ndodhen në kushtet më të vështira, pasi disa produkte bazë kanë njohur çmime të larta, kanë të drejtën që të kërkojnë kompensimin që ua njeh ligji.
Barnat
Përveç mohimit të shifrave për rritjen e pensioneve, pensionistët kanë kundërshtuar edhe listën e barnave të rimbursueshme, e cila u rinovua pak kohë më parë nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas Sindikatës së Pensionistëve, nga rimbursimi janë hequr ilaçe cilësore, ç’ka e rrit me 6 milionë dollarë shumën që pensionistët në të gjithë vendin paguajnë për ilaçet. Pak kohë më parë pensionistët i kërkuan për të disatën herë qeverisë shtim të listës së barnave të rimbursueshme, pasi nuk kanë mundësi t’i blejnë të gjitha ilaçet. Sipas shifrave të Sindikatës së Pensionistëve rreth 25 mijë pensionistë në vend blejnë barna jashtë listës së rimbursimit. Medikamentet e blera nga mosha e tretë jashtë listës së rimbursimit janë ilaçe të shtrenjta dhe që kryesisht përdoren për të trajtuar sëmundjet kronike nga e cila vuan më tepër kjo moshë. Kështu, barnat jashtë rimbursimit që blehen nga pensionistët janë kryesisht ilaçet, që shërbejnë për trajtimin e sëmundjeve të tensionit, të problemeve shëndetësore kardiovaskulare, të diabetit, prostatës dhe të sëmundjeve të sistemit mendor. Po ashtu, sipas llogaritjeve që ka bërë sindikata, rezulton se janë rreth 20 milionë euro në vit, që paguhen nga pensionistët në të gjithë vendin, vetëm për blerjen e ilaçeve.

24 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›