Filologjiku, nis përzgjedhja për Doktoraturat
Filologjiku nis përzgjedhjen e kandidatëve që kanë aplikuar për të vijuar Doktoraturën pranë këtij fakulteti, porces që do të përfundojë në datën 1 mars. Ndërsa është vënë re një fluks i madh kërkesash, dekani i Fakultetit Histori-Filologji, Shezai Rrokaj, thotë se kriter seleksionues do të jetë mesatarja, që preferohet të jetë mbi 8. Në fakt, këtë vit, ndryshe nga vitet e kaluara, në fakultetet e Universitetit të Tiranës ka një fluks kërkesash për të ndjekur shkollën doktorale. Ky fenomen është vënë re më së shumti në Fakultetin e Histori-Filologjisë. Përballë kërkesave të shumta, dekani Shezai Rrokaj thotë se si kriter bazë do të jetë nota mesatare, por ai shprehet se duhet të ketë një rishikim të Ligjit të Arsimit të Lartë, që mos të ndodhë masivizim i doktoraturave ashtu si ndodhi me masterat. Ndonëse, aplikuesit duhet të mendojnë se me shkollën doktorale mund të specializohesh ose për kërkime shkencore ose për diplomaci, sipas dekanit të Filologjikut, doktoratura nuk ofron vende të tjera pune, pavarësisht se arsimimi arrin në nivelet më të larta. Ndërkaq, pas mbylljes së aplikimeve, pritet që pas mesit të muajit mars të fillojë edhe procesi mësimor për doktoraturën e cila zgjat tre vjet.