E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ushtaraku që kundërshtoi Delijorgjin, u shkarkua”



Ushtaraku që kundërshtoi ngritjen e pikës së çmontimit të municioneve në Bërzhitë, është shkarkuar nga detyra pak kohë pasi ka dorëzuar raportin e hartuar prej tij në Shtabin e Përgjithshëm dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë, të cilët kanë arritur të zbulojnë këtë fakt gjatë hetimit për procedurat e ndjekura në caktimin e Gërdecit, si zona ku do të bëhej çmontimi i municioneve luftarake. Ngritja e qendrës së çmontimit në Gërdec është vendosur pasi ushtaraku që do të shkarkohej dërgoi në Shtabin e Përgjithshëm një raport, ku kundërshtonte vendosjen e fabrikës së çmontimit në Bërzhitë, zonë e cila ishte kërkuar nga Mihal Delijorgji dhe kompania amerikan SAC, partnere e tij. Nënkoloneli me iniciale S.P., kishte kryer verifikime në terren për të parë mundësinë e ngritjes së një pike për çmontim municionesh në zonën e Bërzhitës në Tiranë. Verifikimet e tij janë kryer në periudhën nëntor-dhjetor 2006, pas së cilës ai u largua nga detyra që mbante më parë për t’u emëruar anëtar i Komisionit të Vlerësimit për Armatimin. Ai kishte hartuar një raport, i cili në fakt vinte në rrezik planin e demontimit të municioneve në Gërdec. Pasi edhe kjo zonë, ashtu si Bërzhita, ishte pranë qendrave të banuara, autostradës Tiranë-Durrës dhe aeroportit të Rinasit.
Demontimi
Më parë në Ministrinë e Mbrojtjes kishte mbërritur një kërkesë nga shoqëria amerikane “Southern Ammunition Company Inc” (SAC), përfaqësuar nga Patrick Henry III. Ky subjekt, pasi kishte hyrë në kontakt me drejtorin e ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari, që në shkurt 2006, kishte kërkuar municione me gëzhojë tunxhi për t’i çmontuar ato, me qëllim shfrytëzimin e metalit të gëzhojës së tyre. Nga shkurti deri në dhjetor 2006, SAC kishte mbajtur kontakt me ndërmarrjen MEICO, duke i sugjeruar asaj se Bërzhita ishte zona më e leverdishme për kryerjen e çmontimit. Në shqyrtim të kërkesës së bërë nga kompania amerikane SAC, Ministria e Mbrojtjes i ka kërkuar Shtabit të Përgjithshëm të verifikonte variantin e propozuar nga SAC, për ngritjen e pikës së çmontimit. Variantet e para të verifikuara kanë qenë kombinatet shtetërore në Poliçan, Mjekës dhe Gramsh, por kompania amerikane nuk ka qenë dakord për shkak të kostos së lartë të transportit. SAC kërkonte një pikë çmontimi që të ishte pranë Tiranës, me qëllim uljen e kostos së transportit nga depot për në fabrikën e çmontimit, fillimisht për municionet e më pas edhe për gëzhojat që dilnin nga çmontimi dhe dërgoheshin për përpunimin e metalit. Në këto kushte, ndërmarrja MEICO i ka kërkuar Shtabit të Përgjithshëm të verifikonte mundësinë e ngritjes së pikës së çmontimit diku pranë Tiranës, në Bërzhitë, siç ishte kërkuar nga SAC, e cila në këtë kohë kishte krijuar firmën “Alba Demil”, duke bashkuar aksionet me Mihal Delijorgjin.
Kundër Bërzhitës
Ushtaraku që do të shkarkohej sapo hartoi raportin e tij, ekspert i vjetër armatimi dhe me eksperiencë në këtë fushë, siç i ishte kërkuar, bëri verifikime në rajonin e Bërzhitës. Në ditët e para të dhjetorit 2006 ai paraqiti konkluzionet, duke kundërshtuar ngritjen e qendrës së demontimit të municioneve në këtë rajon. “Rajoni i Bërzhitës është i papërshtatshëm si për depozitim, ashtu edhe për asgjësim municioni. Ky rajon është i palicencuar për depozitim ashtu edhe për demontim municioni, është pranë rrugës nacionale Tiranë-Elbasan dhe qendrave të banuara”. Ky ka qenë mendimi i specialistit, i cili në raportin e paraqitur pranë Shtabit të Përgjithshëm, pohonte gjithashtu se qendra e demontimit të municioneve nuk mund të vendosej në Bërzhitë, pasi veç të tjerave, nuk e kishte të garantuar furnizimin me energji elektrike për 24 orë, pasi një gjë e tillë varej nga KESH-i. Raporti i hartuar nga nënkoloneli është përfshirë pak kohë pas hartimit të tij nga i shkarkuari me iniciale S.P., në një letër që Bardhyl Hoxha, drejtori i Drejtorisë së Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm, i ka dërguar ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Në këtë letër, Koloneli Bardhyl Hoxha i shkruan ministrit të Mbrojtjes, veç të tjerave, duke i thënë se ngritja e pikës së çmontimit në Bërzhitë ishte me rrezik, pasi zona ishte e pacertifikuar dhe ndodhej pranë rrugës Tiranë-Elbasan si dhe qendrave të banuara. Koloneli Hoxha trajton në letrën e datës 28 dhjetor 2006 edhe çështje të tjera, por shprehet se vendi ku do të ngrihet qendra e çmontimit të predhave duhet të caktohet në negociata mes palëve. Palët ishin ndërmarrja MEICO, bashkimi i shoqërive SAC-Albademil dhe Shtabi i Përgjithshëm.

Nënkoloneli pas kërkesës së SAC: Bërzhita vend i papërshtatshëm

TIRANE – Pas kërkesës së ndërmarrjes MEICO dhe porosisë së Ministrisë së Mbrojtjes për të verifikuar mundësinë e ngritjes së qendrës së grumbullimit dhe demontimit të municioneve në Bërzhitë, Shtabi i Përgjithshëm ka ngarkuar nënkolonelin me iniciale S.P. për të bërë verifikimet në këtë zonë. Pas një pune disaditore në studimin e zonës dhe verifikimin e kushteve konkrete, por edhe të treguesve të armatimit që kërkohej për çmontim, nënkoloneli ka shkruar në raportin e tij: “Rajoni i Bërzhitës është i papërshtatshëm, si për depozitim, ashtu edhe për asgjësim municioni. Ky rajon është i palicencuar për depozitim dhe demontim municionesh, është pranë rrugës nacionale Tiranë-Elbasan dhe pranë qendrave të banuara”.

Akuzat ndaj Mediut, 700 faqe

Prokuroria e Përgjithshme depoziton një material prej rreth 700 faqesh në zyrat e Kuvendit, si dokumente për heqjen e imunitetit të kryerepublikanit Fatmir Mediu.

BLEDAR HOTI

Materiali voluminoz ndodhet në zyrat e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Sipas burimeve pranë Kuvendit, raporti i kryeprokurores Ina Rama nuk është shpërndarë ende për anëtarët e tjerë të Këshillit të Rregullores dhe Imunitetit. Ky raport pritet të shpërndahet së shpejti për 9 anëtarët e tjerë të këtij këshilli. Materiali, sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, u paraqit në selinë e Kryetares së Kuvendit të premten pasdite. Sipas burimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Kuvendit i është kërkuar që të shqyrtojë sa më shpejt kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit të PR-së, Fatmir Mediu. Deputetët, anëtarë të Këshillit kërkuan materialin e Prokurorisë së Përgjithshme, por administrata e Kuvendit nuk ia disponoi për shkak se ai nuk është gati, pasi raporti është voluminoz. Ndërsa në Kuvend është përhapur fjala se kryeprokurorja Rama i ka kërkuar Topallit që materiali i dhënë të mos shpërndahet publikisht, pasi ka materiale sekrete që janë pjesë e hetimit të çështjes.

Raporti
Materiali përmban 700 faqe, të pasqyruar në të dyja anët e fletës së raportit. Në të përmbahen fakte dhe dokumente në lidhje me urdhrat e lëshuara nga ministri për çështjen e Gërdecit. Shkresa të shumta për fabrikën e demontimit, mësohet se u janë vënë në dispozicion deputetëve të Kuvendit, të cilët janë anëtarë të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit. Ky këshill ka tashmë në dispozicion shkresat dhe më konkretisht se pse Prokuroria e Përgjithshme kërkon heqjen e imunitetit të ish- ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Sipas burimeve mësohet se në këtë material ka çdo ligj, çdo vendim të Rregullores së Ministrisë së Mbrojtjes që e ka përmendur në kërkesë, çdo kërkesë të ish-ministrit të Mbrojtjes. Ndërsa mësohet se në këtë material nuk përfshihet asnjë shkresë që mund të ketë dhënë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë shqiptare në lidhje fabrikën e demontimit në Gërdec. Kërkesa për dokumente konkrete nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme u bë nga anëtari i Këshillit të Imunitetit, deputeti i PR-së, Arjan Madhi. Në mbledhjen e zhvilluar një javë më parë, deputeti Madhi kërkoi fakte dhe dokumente konkrete në lidhje me arsyet se përse duhej t’i hiqej imuniteti ish-ministrit të Mbrojtjes. Një kërkesë e tillë u pranua nga ana e Topallit, duke u cilësuar si e drejtë dhe shkresa u dërgua drejt zyrës së Ina Ramës pas dy ditësh. Por një gjë e tillë u cilësua nga ana e opozitës si një përpjekje për shtyrje në kohë të procedurave. Kjo çështje pati dhe përplasje mes socialistëve dhe Kryetares së Kuvendit, në lidhje me procedurat që do të ndiqeshin për heqjen e imunitetit të Mediut. Topalli në një reagim të sajin të disa ditëve më parë kishte kontestuar qëndrimet e socialistëve, duke u shprehur në të njëjtën kohë se është pro në princip të kërkesave të Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit. Kuvendi nuk ka ndonjë afat të përcaktuar në lidhje me kërkesën për heqjen e imunitetit të ish-ministrit Fatmir Mediu. Kjo procedurë mund të zgjasë deri në mbi tre muaj dhe kjo varet nga mënyra se si do të operojë Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Gërdeci, Braçe: Pse nuk përfshihet nisma jonë

Socialistët protestuan mbrëmë në Kuvend në lidhje me mospërfshirjen e nismës së tyre për kompensimin e familjeve që kanë humbur shtëpitë nga ngjarja tragjike e 15 marsit në Gërdec të Vorës. Duke folur për kalendarin dyjavor të punimeve, Braçe deklaroi se, “projektligji i PS-së për dëmshpërblimin e të prekurve nga tragjedia e Gërdecit nuk po përfshihet në kalendar, nuk po futet në axhendë dhe as në diskutimet në komisione”. “Kërkojmë që ky projektligj të votohet në seancë dhe të hyjë në kalendarin e punimeve. Kryeministri të sjellë raportin me shkrim për krimin shtetëror të Gërdecit. I fundit që duhet të qeshë me nismën tonë është deputeti i zonës. Interpelancat janë bërë shumë, sepse që nga shkurti Kryeministri nuk i është përgjigjur asnjë interpelance. Në lidhje me tragjedinë e Gërdecit ai duhet të vijë të raportojë, Kuvendi nuk e ka dënuar atë që ka ndodhur në Gërdec”, deklaroi Braçe. Ai theksoi se PS-ja ka paraqitur tri kërkesa për interpelancë, përfshi dhe këtë të Gërdecit dhe kryeministri nuk ka ardhur ende të japë përgjigje. Edhe në seancën parlamentare të javës së kaluar, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, ngriti këtë shqetësim. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në lidhje me pretendimet e opozitës u shpreh se, “interpelancat e paraqitura për Kryeministrin mund t’ju përgjigjen ministrat përkatës për çështjet konkrete të ngritura”. “Atë projekt të PS-së, ia kam kaluar Ministrisë së Financave dhe pastaj do hyjë në procedura normale. Në lidhje me interpelancat, disa kanë probleme me rregulloren, por është e pamundur që të gjitha të përqendrohen tek Kryeministri dhe ai do delegojë te ministrat”, theksoi Topalli. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, e ka cilësuar të ezauruar çështjen e dëmshpërblimit financiar të banorëve të Gërdecit. "Ne e kemi cilësuar të mbyllur skemën e dëmshpërblimit, banorët i kanë marrë paratë e tyre dhe t'i gëzojnë", theksoi Patozi. Ndërsa deputeti i LSI-së, Pëllumb Xhufi, ngriti shqetësimin në lidhje me mosngritjen e komisionit hetimor për ngjarjen tragjike të 15 marsit. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, ka deklaruar se, "nisma është e pavlefshme për shkak se është firmosur vetëm nga pesë deputetë". "Edhe sikur të firmosnin 28 deputetë, unë nuk mund ta pranoj, pasi juristët më thanë se për këtë çështje ka nisur hetim Prokuroria, e si e tillë nuk mund të ketë hetim paralel nga Parlamenti", theksoi Topalli.

“Gërdec, grevë nëse s’vjen Berisha”

TIRANE- Një grup grash, banore të Marqinetit, kanë pushtuar dje në mesditë rrugët e fshatit, në shenjë proteste ndaj mospagimit të dëmshpërblimeve ndaj tyre në masën e duhur, duke kërkuar pagesat e sakta të dëmeve të shkaktuara ndaj tyre nga shpërthimi i 15 marsit të këtij viti në Gërdec. Gratë kanë pretenduar se nuk janë dëmshpërblyer për shkatërrimin e banesave të tyre. Gjatë protestës së tyre, gratë kanë kërkuar një takim me kryeministrin e vendit Sali Berisha, pasi shtëpitë e tyre janë ende të pabanueshme dhe ata s’kanë ku të banojnë pas rrënimit të dy muajve më parë. Nga shpërthimi u dëmtuan mijëra banesa në disa fshatra të zonës së Vorës, si në Gërdec, Vorë, Marikaj, Marqinet 1 dhe 2, Muçaj etj. Një pjesë e banorëve të këtyre zonave janë dëmshpërblyer dhe kanë marrë paratë në dorë të ofruara nga qeveria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›