E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barroso: Ballkani perëndimor, pjesë e BE-së

Kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, ka deklaruar se Ballkani perëndimor duhet të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Ai ka vlerësuar se secili vend i rajonit mund të presë mbështetjen dhe solidaritetin politik, ekonomik e financiar, duke shtuar se manifestim i kësaj gadishmërie është ndihma financiare e para-anëtarësimit.
 

Sipas tij, Mali i Zi dhe Serbia mund të përfshihen në fazën e ardhshme të negociatave për hyrje në BE, nëse deri në tetor vazhdojnë reformat. Pasi konstatoi se Kroacia ka hyrë në fazën finale të negociatave për anëtarësim në BE, Barroso tha në Parlamentin Evropian se kanë mbetur sfida të shumta të rëndësishme, që nga nevoja për ecje përpara të dialogut Beograd-Prishtinë, përballim të ngecjes politike në BeH dhe Shqipëri, e deri te çështja e emrit të Maqedonisë.
 

Sundimi i ligjit dhe liria e shprehjes mbesin sfidë e madhe në rajon, citohet të ketë thënë kryetari i KE-së.
 

Për periudhën 2007 deri në 2013, BE ka ndarë 1.5 miliard euro për ngritjen e institucioneve, zhvillimin e kuadrove, zhvillimin rajonal, bashkëpunimin ndërkufitar në Ballkanin perëndimor.
 

Barroso gjatë javës së kaluar vizitoi Kroacinë, BeH, Malin e Zi e Maqedoninë, ndërsa sot paralajmëroi vizita në Beograd, Prishtinë e Tiranë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›