Barroso Berishës: Shqipëria do të marrë shumë shpejt statusin e vendit kandidat për në BE

Bashkimi Evropian shqyrton së shpejti kërkesën e aplikimit të Shqipërisë, e cila është dorëzuar në Pragë, tre ditë më parë nga kryeministri Berisha. Presidenti i KE, Barroso dhe kryeministri Suedez, Reinfeld, vendi i të cilit merr kryesimin e radhës të Bashimit Evropian, deklarojnë se do të punohet ngushtësisht me qeverinë “Berisha”, në mënyrë që Shqipëria të marrë sa më shpejt statusin e vendit kandidat
TIRANE - Shqipëria do ta përfitojë shumë shpejt statusin e kandidatit si anëtare me të drejta të plota për në Bashkimin Evropian. Është kjo garancia që jep Komisioni Evropian, lidhur me kërkesën e dorëzuar pak ditë më parë në Pragë, nga kryeministri Berisha.
Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, gjatë një mëngjesi pune të titulluar “Të jetosh Evropën”, në të cilën mori pjese edhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë Sali Berisha, tha se KE do të punojë me qeverinë shqiptare që marrja e statusit të vendit kandidat të ndodhë sa më parë.
Në këtë panel të drejtuar nga Barroso, u fol me nota vlerësuese për progresin e gjerë dhe të gjithanshme, në ecurinë drejt realizimit të reformave, duke treguar optimizëm për hapat e mëtejshme të tyre, e njëherazi duke shpresuar kështu në një përshpejtim të procesit të anëtarësimit të vendit tonë në strukturat evropiane.
Presidenti i Komisionit Evropian
Në harkun kohor të vetëm dy ditëve nga aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, qeveria merr garanci të forta për të mbyllur sa më parë procesin e shqyrtimit të kërkesës.
Gjatë takimit të shkurtër me kryeministrin Berisha, Presidenti i Komisionit Evropian Hose Manuel Barroso i tha Kryeministrit Sali Berisha se do të punojë me qeverinë shqiptare që kjo të ndodhë sa më parë. Afati më i mundshëm duket të jetë Presidenca e radhës e unionit, ajo suedeze. Besimi që rrjedh nga një tjetër garanci e fortë këtë herë nga kryeministri i Suedisë Fredrik Reinfeld, vend i cilit që prej 1 korrikut të këtij viti do të ketë Presidencën e radhës së Këshillit të Evropës.
Barroso u shpreh se BE po punon bashkërisht me Shqipërinë, për të plotësuar standardet e duhura dhe në këtë mënyrë të shënohet progres.
“Ne po punojmë shumë mirë me Shqipërinë, është e rëndësishme të bëhet progres. Nuk dua të jap datë, por ne po punojmë në mënyrë konstruktive më Shqipërinë”, u shpreh Presidenti i Komisionit Evropian, Barroso.
Kryeministri i Suedisë
Ndërkaq, Kryeministri i Suedisë Reinfeld deklaroi se “diskutova me kryeministrin Berisha mbi rëndësinë e perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. “Suedia ka një qëndrim të hapur pro zgjerimit. Ne do të marrim aplikimin, do ta shqyrtojmë atë në mënyrën e duhur dhe shpresojmë të shohim një të ardhme me një BE, të zgjeruar”, u shpreh Reinfeld.
Reinfeld bëri me dije se edhe pas presidencës çeke, e cila në mënyrë të vendosur ka kontribuar pozitivisht ndaj Shqipërisë gjatë drejtimit të BE-së prej saj, vendi ynë do të vijojë ta ketë të garantuar mbështetjen edhe prej presidencës së re suedeze, për një anëtarësim sa më të shpejtë të saj në strukturat evropiane.
Qeveria shqiptare u mbështet fort në këtë vendimmarrje për aplikim nga partnerët ndërkombëtarë të cilët janë shprehur hapur pro perspektivës sa më të shpejtë evropiane për Shqipërinë. Mirek Topolanek kryeministri i Çekisë njëkohësisht president i Këshillit Evropian garantoi angazhimin e posaçëm të vendit të tij që faza e shqyrtimit të kërkesës të mbyllet brenda Presidencës suedeze.
Takimet me Presidentin e Komisionit Evropian dhe kryeministrin e Suedisë, kryetari i qeverisë shqiptare i zhvilloi në Varshavë ku për dy ditë me radhë zhvillon punimet Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partive Popullore Evropiane. Barroso kryesonte një prej paneleve të rëndësishme të zhvilluara në kuadër të këtij organizimi politik, atë të titulluar, të jetosh Evropën.