Gjykata e Lartë i njeh vetes të drejtën e pushimit të gjykimit për dosjen “Durrës-Kukës”
Rrëzoi vendimet e Shkallës së Parë dhe Apelit
TIRANE - Gjykata e Lartë shpalli dje të pavlefshëm vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës dhe asaj të Apelit lidhur me afatet hetimore të çështjes së rrugës “Durrës - Kukës”. Duke ia njohur vetes të drejtën për t’u shprehur për hetimet e kësaj dosje, rreth tri javë më parë kjo gjykatë vendosi pushimin e gjykimit, ndaj të akuzuarve.
Në seancën e djeshme, Gjykata e Lartë pranoi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila kishte bërë rekurs të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës dhe asaj të Apelit që kishin shpallur të parregullt hetimin tej afatit hetimor të çështjen për rrugën “Durrës – Kukës”. Sipas arsyetimit të djeshëm të Gjykatës së Lartë, mësohet se këto dy gjykata nuk janë kompetente për shqyrtimin e kësaj çështjeje.
Në arsyetimin e Gjykatës së Lartë u theksua se Gjykata e Tiranës dhe Gjykata e Apelit nuk kanë kompetencë dhe juridiksion të shqyrtojnë kërkesën e ministrit Lulzim Basha, pasi në bazë të Kushtetutës, vetëm Gjykata e Lartë është kompetente të shqyrtoje si gjykatë e shkallës së parë kërkesën e një ministri dhe deputeti.
Kompetenca e Gjykatës së Lartë
Ndërkohë, Gjykata e Lartë, jo më larg se data 10 prill e këtij viti, kishte marrë në shqyrtim dhe hodhi poshtë pretendimet e prokurorisë për këtë dosje.
Me këtë vendim të Gjykatës së Lartë, prej datës 10 prill 2009, është pushuar çështja ndaj të pandehur kryesor në këtë çështje ishte ish-Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Lulzim Basha, aktualisht ministër i Jashtëm dhe Andi Toma ish- drejtor juridik në Ministrinë e Transporteve, të cilët akuzoheshin për shpërdorim detyre. Në argumentimin e tij, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, e quajti të pavlefshme hetimet ndaj Ministrit pasi i konsideroi ato jashtë afatit.
“Kërkesa për gjykim e prokurorisë është e pavlefshme”, vendosi Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë.
Kolegji Penal pushoi çështjen me vendim të formës së prerë duke argumentuar me termin “pavlefshmëri absolute” edhe dërgimin e kërkesës për gjykim në Gjykatën e Lartë.
Përmes vendimit të publikuar në datën 10 prill 2009 nga Gjykata e Lartë, kërkesa për gjykim ndaj ministrit Basha dhe ish-vartësit të tij Toma, shpallet e pavlefshme dhe të gjitha veprimet e ndërmarra prej tij pas datës 6 nëntor, konsiderohen pa bazë.
Vendimi i datës 10 prill 2009, i Gjykatës së Lartë për pavlefshmërinë e akuzave ndaj Lulzim Bashës dhe Andi Tomas është i formës së prerë.
Prokurorja Ina Rama
Vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 10 prill 2009, e ka njohur dhe pranuar edhe Prokuroja e Përgjithshme Ina Rama.
Disa ditë pas këtij vendimi, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama pranoi dështimin e hetimeve të rrugës Durrës-Kukës dhe bëri të ditur se hetimi i saj i mundshëm, është tashmë i mbyllur pas “vendimit të formës së prerë” të Gjykatës së Lartë, që i cilësoi hetimet jashtë afateve ligjore.
Në përgjigje të interesimit të medias për ecurinë e mundshme të hetimeve të dosjes “Durrës – Kukës”, Kryeprokurorja Rama deklaroi disa ditë më parë, se, “vendimi i Gjykatës së Lartë është i formës së prerë”, duke mos preferuar të bëjë komente të tjera rreth këtij vendimi.
Me këtë deklarim të saj, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka hedhur poshtë të gjitha zërat që qarkullonin, se nga grupi hetimorë që është duke përgatitur një tjetër pistë për sa i përket çështjes së shumë përfolur “Durrës-Kukës”.