E Diel, 1 Nëntor 2026

Japonia, e gatshme të mbështesë projekte të rëndësishme në Shqipëri

Ministri Basha, pret Ambasadorin e Japonisë në Shqipëri, Hiroyasu Ando

TIRANE - Qeveria japoneze shprehet e gatshme të mbështesë Shqipërinë në projekte të rëndësishme në fushën e infrastrukturës. Këtë konfirmim ka marrë dje Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha gjatë një takimi që ka zhvilluar me Ambasadorin e Japonisë  në Shqipëri, Hiroyasu Ando, rezident në Rome, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë.
Ambasadori Japonez informoi se ai po viziton Shqipërinë në kuadër të nënshkrimit  të një grandi  për “Projektin e përmirësimit të ambientit të Bathores  dhe shkollave të qendrës së bashkisë Kamëz”. Në këtë kuadër Ambasadori  shprehu edhe një herë gatishmërinë e qeverisë  japoneze  për të mbështetur edhe projekte të tjera në fushën e infrastrukturës, turizmit etj.
Nga ana e tij, Ministri Basha, e siguroi Ambasadorin Ando, se investitorët japonezë janë të mirëpritur në Shqipëri, ku ndër të tjera e informoi atë se së shpejti do të ftohej  një grup miqsh nga Japonia,  në kuadër të një programi që Ministria e Punëve të Jashtme po përgatit për zhvillimin e marrëdhënieve kulturore të vendit tonë me vendet e tjera. Ministri Basha vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve vazhdojnë të ruajnë ritme të larta që nga vizita e Kryeministrit Berisha vitin e kaluar. Sipas Ministrit Basha, niveli i lartë i marrëdhënieve mes dy vendeve është demonstruar jo vetëm në mbështetjen e vazhdueshme që qeveria japoneze tregon për zhvillimin e projekteve në Shqipëri, si nëpërmjet grandeve ashtu edhe nëpërmjet huave me terma të buta por edhe nëpërmjet interesimit të investitorëve japonezë për investime me rëndësi në fushën e energjetikës, minierave etj.
Ambasadori Ando uroi Ministrin Basha për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe kandidimin në Bashkimin Evropian dhe shprehu gatishmërinë e qeverisë japoneze për të bashkëpunuar edhe në të ardhmen dhe për të mbështetur Shqipërinë në proceset e demokratizimit dhe zhvillimit ekonomik e social të vendit. Ambasadori në mënyrë të veçantë falënderoi mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë kandidaturave të Japonisë në organizatat ndërkombëtare sidomos kandidaturës për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të ANEA-s.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›