Vlonjajtët me vlerat më të mira të traditës së tyre në vestivalin kombëtar të Gjirokastrës

Grupi përfaqësues i Vlorës synon të reflektojë vlerat dhe traditat më të mira të folklorit të trevave të këtij qarku, gjatë Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës që do të mbahet në fund të muajit shtator. Gjatë një takimi që u zhvillua sot në mjediset e Këshillit të Qarkut të Vlorës, me praninë e përfaqësuesve të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Komitetit Organizator të Festivalit, qeverisjes dhe institucioneve vendore të kulturës etj, u theksua se "ky grup do të dalë si produkt i një procesi konkurrimi, që do të kalojë në tre faza, duke filluar nga komunat, bashkitë e rrethet përkatëse, duke i kushtuar vëmendje evidentimit të folklorit burimor që është edhe elementi më i spikatur në një aktivitet të dimensioneve kombëtare". Të pranishmit nënvizuan se "Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës duhet të shndërrohet në një manifestim të vlerave të krijuara në breza të folklorit burimor". Sipas drejtorit të Qendrës Kulturore të Vlorës, Istref Dobi, në fazën përgatitore do të synohet sjellja e elementëve të rinj interpretues të këngëve dhe valleve si dhe plotësimi i një kostumografie komplekse e dinamike. Përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës kanë nisur prej disa javësh në qarkun e Vlorës. Pas miratimit të platformës në Këshillin e Qarkut, ka filluar puna në terren për përzgjedhjen e grupit që do të përfaqësojë Vlorën. Aktualisht në qytetin e Vlorës organizohen çdo vit dy festivale folklorike të nivelit mesdhetar, ndërkohë që në fillim të muajit maj do të promovohet edhe një i tretë, me dimensione më të gjera. Kjo, është shoqëruar me rritje të numrit të grupeve folklorike që janë në aktivitet të plotë. Aktualisht, vetëm në rrethin e Vlorës numërohen të paktën 40 grupe të tilla, me rreth 300 anëtarë që përfaqësohen rregullisht në aktivitete folklorike lokale e kombëtare.
...