E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria përparime të ndjeshme antikorrupsion, në 4 vitet e fundit

USAID publikon raportin vjetor për korrupsionin

TIRANE - Perceptimi i opinionit publik mbi korrupsionin në administratën shtetërore ka pësuar një rënie të ndjeshme në krahasim më vitin 2005. Kjo del nga sondazhi më i fundit që USAID ka publikuar dje në lidhje me perceptime dhe përvojat e qytetarët shqiptarë gjatë muajve të parë të këtij viti.
Sondazhi i porositur nga USAID është përgatitur nga IDRA “Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi” (“Institute for Development Research and Alternatives”), me seli në Tiranë, i njohur edhe për hartimin e sondazhit elektoral të publikuar nën emrin e “Zogby”-t, që vazhdon të nxjerrë fitues PS-ën.

Korrupsioni ka njohur rënie që prej vitit 2005
“Në përgjithësi, përvoja me transaksionet korruptive ka rënë që nga viti 2005. Nga 10 mënyra përmes të cilave një individ mund të jetë pre e korrupsionit, në vitin 2009, numri mesatar i mënyrave të viktimizimit është mesatarisht 1.29 mënyra, nga 1.7 që ka qenë në vitin 2005. Nga dhjetë skenarët e paraqitur, përqindja e njerëzve të cilët deklarojnë se kanë pasur të paktën një përvojë korruptive ka rënë nga 66.5 % në 2005 në 57.1 % në 2009”, thuhet në raportin e djeshëm të prezantuar nga Drejtoreshës së USAID në Shqipëri Roberta Mahoney.
Sipas tij shëndetësia përfaqëson sektorin më të përmendur për korrupsion. 37.1% e të intervistuarve pohojnë se i kanë paguar ryshfet një doktori ose infermieri gjatë vitit të kaluar. Gjithsesi Mahoney vuri në dukje faktin se perceptimi mbi korrupsionin në Shqipëri vazhdon të mbetet i lartë në raport me vendet më të zhvilluara.
“Nga 20 grupe/institucione të vlerësuara në sondazhin e publikut të gjerë në 2009, 14 prej tyre konsiderohen si më shumë të korruptuara sesa të ndershme dhe vetëm 6 prej tyre kanë marrë më pak se 50 pikë në shkallën e vlerësimit nga 0-100 pikë, ku 0 do të thotë ‘Shumë i ndershëm’ dhe 100 do të thotë ‘Shumë i korruptuar’”, citon raporti.
Më tej thuhet se besimi i shqiptarëve në institucione vazhdon të mbetet i ulët dhe ku mesatarisht, niveli i besimit për 15 institucionet e paraqitura është 44.3 pikë, në një shkallë nga 0-100 ku 0 do të thotë “Aspak besim” dhe 100 do të thotë “Shumë besim”. “Në të njëjtën kohë, Shqipëria ndodhet në buzë të një bashkimi të madh e të fuqishëm ekonomik – i vështirë për t’u futur dhe për të bërë biznes. Kjo kundërvendosje faktorësh – një vend i vogël, ngjitur me BE – nënkupton që Shqipëria duhet të jetë jashtëzakonisht punëtore, e përkushtuar dhe transparente për të qenë një partnere e besueshme. Reputacioni i Shqipërisë si një vend për korrupsion duhet kapërcyer me një betejë të pandalshme, të palodhur kundër tij. Fqinjët tuaj evropianë, qofshin njerëz të biznesit, pushues, akademikë, apo kolegë profesionistë, duhet të fillojnë ta shohin Shqipërinë si një vend partner – një vend me të njëjtat qëllime dhe ambicie si të tyret”, deklaroi drejtoresha e USAID.

Perceptim i gabuar mbi përkufizimin e fenomenit
Pavarësisht të dhënave ende shqetësuese për këtë fenomen, raporti vinte në dukje faktin se “Ka një prirje nga ana e publikut shqiptar që të përfshijë në konceptin e “korrupsionit” edhe dukuri të cilat nuk janë të tilla”. “Kur gjykojnë të dy palët e përfshira në një  transaksion korruptiv, shqiptarët tregohen më tolerantë kundrejt “dhënësve” të ryshfetit dhe më të ashpër kundrejt “marrësve”.
Një nxënës i cili i jep një këmishë mësuesit të tij me shpresën se do të marrë një notë më të mirë është vlerësuar ose i pa korruptuar (35.4%) ose i justifikuar (34.7%). Gjithashtu edhe një nënë e cila paguan 500 Lek për të shmangur radhën për marrjen e një certifikate për fëmijët e saj shihet si jo e korruptuar (26.3%) ose gjerësisht e justifikuar (43.4%). Pyetur për rastin e një shitësi lulesh i cili rrit çmimin e luleve gjatë një dite feste, pothuajse gjysma e të intervistuarve e shohin shitësin si të korruptuar dhe që duhet ndëshkuar.
“Ky kuptim i gabuar mund të ndikojë në një mbivlerësim të përgjithshëm të korrupsionit të perceptuar”, thekson raporti

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›