Plani i integrimit të Ballkanit Perëndimor, perspektivë e qartë evropiane për Shqipërinë

Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini konfirmon mbështetjen e Italisë ndaj vendit tonë
TIRANE - Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franco Frattini ka ripërsëritur se, plani i paraqitur prej tij për integrimin në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor i jep popullit shqiptar një perspektivë të qartë evropiane.
Ministri Frattini informoi se e ka paraqitur këtë propozim konkret edhe te Sekretarja e Shtetit të SHBA-së, Klinton, e cila ishte shumë e kënaqur për një ide strategjike për Ballkanin Perëndimor.
“Nuk mendoj se ka një paketë vendesh të BE-së, pasi çdo vend duhet vlerësuar për meritat e veta. Për sa i përket planit për Ballkanit, ne kemi menduar se ndoshta është koha për të dhënë afate precize”, tha Frattini.
Çdo vend i këtij rajoni, sipas kreut të diplomacisë italiane, “duhet të ketë një perspektivë të sigurt dhe në këtë drejtim është folur për liberalizim vizash. Unë kam shtuar një datë, fundin e këtij viti”.
Ndërsa kur flitet për aderim në BE, Ministri Frattini theksoi se “aderimi i Kroacisë pritet të ndodhë brenda vitit 2010, ndërsa analiza e kërkesës për aderim të Shqipërisë, të ndodhë vitin e ardhshëm. Statusi për vendin kandidat është një vendim që nuk merret pas 10 vjetësh, por brenda 2010. Nëse vendimi do të jetë pozitiv apo negativ, kjo varet nga Shqipëria, nga fakti, nëse ajo plotëson apo jo standardet evropiane për të nisur negocimet”, u shpreh Frattini.
Koha se kur Shqipëria do të anëtarësohet në BE, sipas Ministri Frattini “varet nga meritat e vetë Shqipërisë”.
Ne nuk jemi për standarde të dyfishta, tha ai, ndërkohë që theksoi se "nuk mund të bllokohet një kërkesë për aderim”.
Sipas tij, Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian, atëherë kur të arrijë të gjitha parametrat që do të jenë të nevojshëm për të hyrë në Evropë.
”Se kur mund të bëhet Shqipëria pjesëtare me të drejta të plota e BE-së, kjo nuk do të ishte e ndershme të thuhej nga një mik i Shqipërisë. Unë jam mik i Shqipërisë dhe nuk do të tregohesha i sinqertë nëse do të thosha se do të anëtarësoheshit në 2011, 2012 apo 2013”, u shpreh Frattini.
Në këtë drejtim, Frattini siguroi se "Italia asnjëherë nuk do ta trajojë më keq Shqipërinë se sa vendet e tjera, por do të ketë një vlerësim, njësoj si në rastin e Bullgarisë, Rumanisë dhe tani Kroacisë".
Ai vlerësoi se “Shqipëria ka bërë një hap përpara drejt BE dhe ka arritur një rezultat historik me hyrjen në NATO”.
Ky rezultat, sipas tij “ka pasur edhe mbështetjen e vazhdueshme të Italisë dhe kjo ndihmon shumë imazhin e Shqipërisë”.
“Në Itali ka shumë emigrantë shqiptarë që janë integruar dhe nuk krijojnë asnjë problem. Për Italinë, 10 vjet më parë, Shqipëria ishte një vend në të cilin vinin përditë klandestinë me gomone, tani këtë nuk e kujton askush”, tha Frattini.
Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini ka konfirmuar gjithashtu, se Italia është e interesuar të bashkëpunojë me Shqipërinë për disa projekte strategjike për ndërtimin e centraleve bërthamore.