E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barroso: Maqedonia të ketë kujdes

Nga Express më 25 qershor 2011 në ora 16:30

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, vlerësoi se Maqedonia mund ta humb rekomandimin për fillimin e negociatave për hyrje në BE, nëse nuk i përmbush reformat e parapara dhe të domosdoshme për anëtarësim.

“Unë isha kohë më parë në vendin tuaj, dhe ua bëra të qartë autoriteteve se ata duhet të bëjnë disa reforma. Është e qartë se pa vazhdimin dhe pa përforcimin e atyre reformave ne nuk mund të japim shpresa për anëtarësim. Është shumë e rëndësishme që të ruhen përpjekjet dhe shpresoj që këtë ta kenë kuptuar mirë autoritetet e vendit tuaj”, deklaroi Barroso.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, në pyetjen pse Maqedonia nuk përmendet në konkluzionet, u përgjigj se Maqedonia është përmendur së bashku me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Maqedonia u përmend së bashku me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Nëse i lexoni konkluzionet përfundimtare, kjo është e qartë. Nuk është përmendur thjeshtë vetëm Kroacia, por edhe pasojat e këtij vendimi për anëtarësimin e Kroacisë, të cilat janë mesazh i mirë dhe inkurajues për Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Orban.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›