E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjidhet kryetari i Parlamentit të Maqedonisë

Nga Express më 25 qershor 2011 në ora 21:40

Me 70 vota për, 47 kundër dhe dy abstenime, Тrајkо Velanovski, është zgjedhur serish për kryetar të Parlamentit të ri të Maqedonisë.

Velanovski në këtë post është zgjedhur pa votat e opozitës. Pas marrjes së postit, ai tha se Maqedonia meriton një Parlament që do të jetë impuls në rrugën e vendit drejt Evropës dhe NATO-s.

Po ashtu, kreu i Parlamentit të Maqedonisë ka thënë se të gjithë duhet t’i vendosin interesat politike shtetërore para atyre personale.

Ndryshe, pas arritjes së marrëveshjes për koalicionin qeverisës ndërmjet VMRO-DPMNE dhe BDI-së, të shtunën është mbajtur seanca e parë konstituive e Parlamentit të ri të Maqedonisë.

Në zgjedhjet e 5 qershorit, partia e së djathtës VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit dhe aleatëve të saj u kanë takuar 56 vende deputetësh, ndërsa opozitës së majtë të mbledhur rreth LSDM-së së Branko Crvenkovski 42 ulëse.

Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit ka fituar 15 vende, Partia Demokratike e Shqiptarëve e Menduh Thaçit 8, ndërsa RDK 2 vende.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov do të ketë dhjetë ditë afat që të konfirmojë formimin e qeverisë së re të mandatarit, ndërsa pason periudha prej 20 ditësh kur Nikolla Gruevski duhet të paraqesë kabinetin e tij të ri.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›