Barroso: Të ulim ndikimin tek FMN

Kryetari i Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso ka deklaruar se europianët janë të gatshëm të zvogëlojnë praninë e tyre në institucionet ndërkombëtare financiare që të krijojnë më shumë hapësirë për Kinën dhe ekonomitë tjera në zhvillim të shpejtuar. Barroso ka theksuar se liderët europianë e kanë pranuar prezencën e tyre shumë të madhe në institucionet siç është Fondi Ndërkombëtar Monetar. "Duke marrë parasysh kontaktet që kisha dhe frymën e përgjithshme të diskutimit me liderët e shefave të shteteve, ekziston transparencë që të vendoset rol më i madh i ekonomive me zhvillim të shpejtuar", ka thënë Barroso, duke shtuar se zëri i Kinës duhet të dëgjohet gjithnjë e më shumë, paralel me forcimin e ekonomisë së saj. Sipas paralajmërimeve, në samitin në Uashington, liderët botërorë do të rishqyrtojnë rolin e FMN-së, duke i dhënë rol më të madh mbikëqyrjes së sistemit global financiar. SHBA-të në këtë moment kanë 16.77 përqind të trupit të përgjithshëm votues në FMN, Gjermania ka 5,88, Britania e Madhe dhe Franca nga 4,86, ndërsa Kina ka 2,66 përqind. Barroso ka sqaruar se ndonëse të gjithë europianët bashkë kanë pjesën më të madhe të trupit votues në FMN, më shumë se SHBA-të, ata kanë ndikim më të vogël për shkak se shpesh paraqiten si qeveri kombëtare, sesa si një grup.