Bugajski: 6-të pikëshi, bosnizim i Kosovës

Analisti Janusz Bugajski është shprehur në Prishtinë se plani gjashtëpikësh i OKB-së, nëse do të zbatohet, rrezikon bosnizimin dhe ndarjen e Kosovës. Bugajski i ka bërë këto komente gjatë një konference të organizuar në Prishtinë nga partia Aleanca Kosova e Re. Bugajski tha se plani gjashtëpikësh, në mënyrë të pashmangshme mund të çojë drejt ndarjes së veriut të Kosovës dhe mbështeti qëndrimin e Prishtinës zyrtare në kundërshtimin e tij. "Dyfishimi i autoriteteve ndërkombëtare të UNMIK-ut dhe EULEX-it në Kosovë, sipas të cilit, serbët në veri do të kishin nën kontroll policinë, gjykatat, doganat e çështje të tjera, çon në një bosnizim të Kosovës", deklaroi Bugajski. Sipas tij, një skenar si plani gjashtëpikësh është shqetësues dhe vjen në kohën kur bashkësia ndërkombëtare po përpiqet ta shmangë ndarjen e Bosnjës, kurse, në anën tjetër, provon të krijojë edhe një problem të ngjashëm në Kosovë. "Mendoj se është e mundshme që me këtë plan të krijohet situata me autoritete të dyfishta, në të cilin Serbia inkurajon minoritetin serb drejt ndarjes apo krijimit të dy entiteteve në Kosovë", thotë Bugajski. Sipas tij, duke e kundërshtuar këtë plan, Kosova më në fund do të dëshmojë se është subjekt i pavarur dhe jo vetëm objekt i politikave ndërkombëtare ndaj saj. Bugajski iu ka sugjeruar kosovarëve që të shtrijnë një ndikim më të madh tek administrata e re amerikane e Obamës, në mënyrë që të kuptohet seriozisht rreziku që i kanoset tërësisë së Kosovës nga plani gjashtëpikësh i Ban Ki Moonit, i pranuar edhe nga Beogradi si dhe një pjesë e madhe e Bashkimit Europian.