Barroso: Thelloni reformat
Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, ka përforcuar përkushtimin e BE-së që Kosova të ketë perspektivë europiane, gjatë vizitës së tij të parë në Prishtinë.Zoti Barroso shoqërohej nga Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, zëvendëskomisioneri për Zgjerim, Stefano Sanino dhe drejtori menaxhues i Shërbimit të Jashtëm të BE-së për Europën dhe Azinë Qendrore, Mirosllav Lajçak. Kreu i KE-së bëri thirrje për reforma të mëtejshme në vend dhe për marrëveshje me FMN-në. Barroso kërkoi reforma për të nisur procesin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ai mbështeti fort dialogun e Serbisë me Kosovën dhe tha se vendet e Bashkimit Europian i kanë ngulur sytë në zhvillimet e tij dhe shpresojnë në rezultat. Gjithashtu, Barroso shprehu mbështetje të fortë për EULEX-in dhe luftën e tij kundër krimit. Këto ishin mesazhet kryesore që përcolli numri një i Komisionit Europian pas takimit me krerët e Kosovës. Ne jemi këtu për tju mbështetur, por varet nga ju, nga populli i Kosovës që ti zbatoni reformat e nevojshme, të konsolidoni demokracinë, sundimin e ligjit, të luftoni korrupsionin e krimin e organizuar, të përpiqeni të keni marrëdhënie të mira fqinjësore, tha Barroso në Prishtinë. Ju duhet më shumë punë për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike. Gjithashtu, duhet një program i fuqishëm ekonomik dhe i kam kërkuar Qeverisë që të bashkëpunojë me FMN-në në këtë drejtim, u shpreh Barroso. Për dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit, Barroso tha se ka ardhur koha e fundit që palët e përfshira të gjejnë zgjidhje për çështjet praktike. I bëj thirrje Kosovës që të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun me Beogradin. Kishte një takim konstruktiv këtë javë. Është koha e fundit për politikanët e të dyja palëve për të bashkëpunuar dhe për të gjetur zgjidhje për shumë probleme praktike, tha Barroso, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Barroso shtoi se Kosova e ka mundësinë më të mirë për progres nëpërmjet reformave të brendshme, bashkëpunimit mes qeverisë dhe Kuvendit në hartimin dhe adoptimin e ligjeve dhe sigurimin e reformës zgjedhore, duke përfshirë sanksionimin e shkelësve të ligjit. Zbatimi i reformave të brendshme është i rëndësishëm edhe për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave, tha Barroso.
Mbështetje EULEX-it
Zoti Barroso ka thënë se Bashkimi Europian i jep mbështetje të plotë misionit EULEX në Kosovë, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit e inkurajoi institucionet e Kosovës që të bëjnë të njëjtën gjë. Deklarata e tij erdhi pas shtimit të zërave kundër këtij misioni në Kosovë dhe deklaratave nga vetë zyrtarët e EULEX-it, se Policia e Kosovës nuk është bashkëpunuese me ta për Veriun, por me personat që duhet të arrestohen.
Takimi me Jahjagën
Kreu i KE ka zhvilluar një takim edhe me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ai e përgëzoi për zgjedhjen e saj në krye të vendit dhe shprehu besimin se do të ketë rol të rëndësishëm në afrimin e Kosovës drejt BE-së. Presidentja Jahjaga konfirmoi se qëllimi i saj është të shtyjë përpara agjendën europiane në Kosovë. Ajo kërkoi heqjen e referencës 1244 ndaj Kosovës nga ana e Brukselit si dhe domosdoshmërinë e fillimit të marrëveshjeve kontraktuale me BE-në. Barroso dhe Jahjaga u pajtuan se në muajt e ardhshëm pritet punë intensive për avancimin e agjendës europiane nga ana e institucioneve të Kosovës. Barroso e ftoi presidenten Jahjaga në vizitë zyrtare në Bruksel.