Barroso: Vendet do tw vlerwsohen nga plotwsimi i angazhimeve
22/11/2004 Dje filloi nga puna Komisioni i ri Evropian nën drejtimin e Presidentit Barroso. Në këtë mbledhje, Barroso tha se do të punojë për zgjerimin e mëtejshëm në tërë kontinentin për ta bërë të suksesshëm zgjerimin e kryer rishtazi të BE-së. Ai tha se do të angazhohet për të përmirësuar cilësinë e jetës, të mbështetur në modelin e ri evropian, bazuar në dinamizmin ekonomik dhe drejtësinë sociale. Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Olli Rehn, u ngarkua në këtë mbledhje të parë me përgjegjësinë për vendet e Ballkanit Perëndimor ku bëjnë pjesë Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Serbia dhe Mali i Zi, përfshirë Kosovën nën administratën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Kroacinë, së cilës i është dhënë statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Rehn deklaroi me marrjen e detyrës se “me procesin e Stabilizim dhe Asociimit, vendeve të Ballkanit Perëndimor u është dhënë një perspektivë e qartë evropiane. Kjo pasqyrohet në strukturën e Komisionit të ri Evropian, ku këto vende vihen nën përgjegjësinë time, si Komisioner për Zgjerimin. Ekzistojnë ende shumë sfida të veçanta lidhur me vendet e Ballkanit Perëndimor, me të cilat duhet të përballemi në kuadër të procesit të Stabilizim-Asociimit. Progresi drejt anëtarësimit do të varet nga niveli i plotësimit të angazhimeve të vendeve të rajonit. Secili vend do të përparojë bazuar në ritmin e tij dhe në meritat e tij”. Kalendari i Samitit të Selanikut, i miratuar nga Këshilli Evropian në qershor 2003, vuri në dukje se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetja për përgatitjen e tyre për një integrim të ardhshëm në strukturat evropiane dhe anëtarësimi i tyre përfundimtar, është një prioritet i dorës së parë për BE. Megjithatë dhe pas ngritjes së komisionit të posaçëm politika e BE-së për rajonin nuk ndryshon. Procesi i Stabilizim dhe Asociimit mbetet kuadri i përgjithshëm i kursit evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit të ardhshëm. Dimensioni rajonal përbën një element thelbësor të procesit të Stabilizim dhe Asociimit. Aftësia dhe gatishmëria e secilit prej vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u angazhuar plotësisht dhe në mënyrë konstruktive në bashkëpunimin rajonal është tregues kyç i aftësisë së secilit prej këtyre vendeve për të plotësuar detyrimet evropiane me synim përfundimtar bashkimin me familjen evropiane.