E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rihapet debati për katër taksa

25/11/2004  Kreu i Dhomës së Tregtisë, Luan Bregasi, ka deklaruar mjaft i kënaqur në Komisionin e Ekonomisë se ka arritur të gjejë një marrëveshje me qeverinë, në lidhje me heqjen e katër taksave. “Kemi rënë dakord të shtyjmë deri në 2007-ën TVSH-në e ndërtimit, të hiqet taksa e dividentit, tatimi në burim për biznesin e vogël dhe heqja e TVSH–së për biznesin e vogël”, ka deklaruar Bregasi. Por ka qenë i menjëhershëm reagimi i zv.ministres së Financave, Adriana Berberi, e cila ka deklaruar se këto janë vetëm propozime të biznesit, ndërkohë që Ministria e Financave i ka bërë të njohura në draftin e paketës fiskale propozimet e veta.

“Këto mbeten vetëm propozime, ndërkohë që ato që ka dëshirë biznesi mbeten për t’u diskutuar dhe do të miratohen vetëm në rast se bien dakord deputetët në Komisionin e Ekonomisë“, ka deklaruar Berberi.

Sipas Adriana Berberit, takimi në Komisionin e Financave mes biznesit dhe qeverisë ka rihapur edhe njëherë diskutimin për taksën e dividentit. Kjo taksë ka qenë në paketën fisale si taksë mbi të ardhurat personale. Por këtë vit u vendos dhe si taksë dividenti mbi fitimin e rikapitalizuar. Pikërisht kjo u kundërshtua me forcë nga biznesi amerikan si dhe nga biznesi vendas. Për këtë aspekt të taksës së dividentit, Berberi ka pranuar se ka patur një tërheqje nga ana e qeverisë, e cila ka vendosur të ridiskutojë në nivel ekspertësh.

“Kemi vendosur të bëjmë një formalizim të të ardhurave të shoqërive tregtare për t’i disiplinuar ato dhe do të fillojmë diskutimet në nivel ekspertësh“, ka deklaruar Berberi. Gjithsesi do t’i mbetet parlamentit të vendosë për fatin e kësaj takse.

“Ne deri tani vetëm sa i kemi dëgjuar dhe gjatë diskutimit nen për nen që do t’i bëjmë paketës fiskale, do të mendojmë dhe për këtë taksë dhe kërkesat e tjera”, është shprehur Ylli Bufi, kryetar i Komisionit të Financave.

“Ndërkaq, tatimi në burim do të jetë një taksë që do të vendoset në masën 4 për qind si tatim i thjeshtuar dhe do t’u merret vetëm një herë”, ka deklaruar Berberi. Biznesi i vogël akuzoi qeverinë se po e tatonte dy herë me tatimin në burim. Kështu një herë do të paguaj taksën e tatimit të thjeshtuar me 2 ose 5 për qind dhe, një herë tjetër do të duhet të paguajnë tatimin në burim, në rast se bën faturën e shërbimit ose tregtimit një biznesi juridik.

“Mbetet për t’u vendosur nga parlamenti në rast se do ta aplikojnë TVSH-në e ndërtimit në 2006 ose në 2007”, ka deklaruar Berberi në lidhje me taksën tjetër, të cilën, ndërkohë biznesi e quan të përfunduar këtë çështje.

Taksat që kanë ndryshuar

TVSH mbi banesat do të mbahet në 2007

Do të hiqet tatimi në burim për biznesin e vogël

Do të hiqet TVSH–ja për biznesin e vogël

Do të hiqet taksa e dividentit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›