E Diel, 1 Nëntor 2026

Barroso, Xhunker: Greqia nuk del nga eurozona

Ashton dhe Barroso, dje në Parlamentin Europian

Greqia nuk do të lejohet të dështojë për të dalë nga eurozona, dhe këtë garanci e kanë dhënë Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, Presidenti i grupit të Euros, Zhan Klod Xhunker, dhe kancelarja gjermane, Anxhela Merkel. Deklaratat janë bërë gjatë fjalimeve të tyre në Parlamentin Europian, ku u bisedua gjerë e gjatë për sfidën më të madhe të monedhës së përbashkët dhe krizën më të madhe të borxhit në historinë e BE-së. Liderët e Unionit Europian premtuan mbështetjen e tyre për Greqinë në këmbim të zbatimit të platformës së kursimit nga ky vend. Jam plotësisht kundër idesë së daljes së një apo dy vendeve anëtare nga eurozona. Kjo nuk do ti zgjidhte problemet, por do të shtonte akoma me shumë telashe sidomos për ato vende, por edhe për eurozonën në tërësi. Si pasojë, do të kishte rreziqe të konsiderueshme edhe për ata që janë jashtë eurozonës, tha Xhunker. Ndërsa Barroso u shpreh se Greqia do të duhet të përmbushë plotësisht dhe në kohë angazhimet e saj dhe në këmbim, europianët janë të vendosur të vazhdojnë mbështetjen derisa të krijojnë përsëri akses në tregje. Ai shtoi se Po përballemi me një krizë financiare, ekonomike dhe sociale, një krizë besimi e paprecedentë në dekada. Ndërkohë, ekipi i trojkës mbërriti dje në Athinë, për të nisur sot bisedimet me qeverinë greke. Zëdhënësi i komisionarit, Olli Rehn, tha se kthimi i trojkës në Athinë u bë i mundur pas shpalljes së masave të fundit nga qeveria greke dhe angazhimit për ti zbatuar me rigorozitet ato, në mënyrë që të mbërrihen objektivat buxhetorë. Pritet vendimi për lirimin e këstit të gjashtë prej 8 miliardë eurosh, i cili bëhet publik më 3 tetor, pas takimit të jashtëzakonshëm të eurogrupit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›