Lajm i keq për Shqipërinë
Sipas televizionit Top Channel, në raportin e radhës të Komisionit Evropian për Shqipërinë theksohet se, në rrugëtimin e saj drejt BE’së, Shqipëria nuk e ka plotësuar kriterin politik, e as 12 prioritetet e caktuara nga Komisioni Evropian.
Tiranë, 29 shtator - Në Strategjinë e Zgjerimit, e cila pritet të publikohet nga mesi i tetorit, Komisioni Evropian vlerëson se Shqipëria do të meritojë statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim vetëm pasi që të ketë përmbushur kushtet e parapara, gjë që kësaj radhe qartazi që mungon.
Përveç numërimit të mangësive të shumta në këtë drejtim, Komisioni rekomandon rrugën që duhet ndjekur nga dy forcat kryesore politike, e pastaj i radhitë edhe shkaqet se përse Shqipëria nuk e meriton as statusin e vendit kandidat, e as hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.
Si pjesë pozitive, megjithatë, përmendet zbatimi i papenguar i Marrëveshjes së Stabizilim-Asociimit dhe arritjet e kënaqshme gjatë dialogut për liberalizimin e vizave, që në dhjetor 2010 rezultuan me heqjen e vizave për shqiptarët.
Qeveria është informuar tashmë nga Komisioni për përmbajtjen e vlerësimit të radhës. Sipas Top Channel, raporti i plotë dhe i detajuar i progresit për Shqipërinë do të publikohet më 12 tetor, pas vendimeve që do të merren nga Kolegji i Komisionarëve për gjuhën që duhet përdorur dhe për ndryshimet e mundshme deri në përpilimin e versioneve finale të raporteve për secilit shtet që aspiron të hyjë në BE.