Chavezit i bllokohen veshkët
Mediat amerikan kanë njoftuar të enjten se presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, është transferuar urgjentisht në spital, ngase i kanë dështuar veshkët. Pushteti në Caracas ndërkaq ka demantuar raportet e mediave amerikane.
“Gjendja e përgjithshme shëndetësore e Chavez është mjaft serioze. Kur është kthyer ishte në gjendje të vështirë, prandaj edhe është transferuar urgjentisht në spital”, shkruan gazeta ‘El Nuevo Herald’, e cila publikohet në gjuhën spanjolle në Miami. Sipas raportit të publikuar në web-faqen e gazetës, presidenti Chavez është transferuar në spitalin ushtarak në Caracas, të martën në mëngjes.
“Në spital, dhe atë në spitalin psikiatrik, duhet të transferohen gazetarët e Nueva Herald”, shkroi në rrjetin social Twitter ministri venezuelas për Informim, Anders Izara. Ai kështu, të paktën për fillim, i demantoi raportet mediale, megjithëse nuk dha asnjë detaj tjetër shtesë.
Menjëherë pas kthimit të tij shërimi në Kubë, ku e përfundoi ciklin e katër të kimioterapisë, Hugo Chavez të dielën tentoi që t’i bindte venezuelasit se është plotësisht i shëndoshë, duke u thënë se kimioterapia nuk ka lënë asnjë pasojë negative tek ai.
Chavez madje shtoi se shpresonte se nuk do të ketë më kurrë nevojë për ndonjë shërim shtesë.