Barroso dhe Fule vizitojnë Ballkanin Perëndimor
Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule, ka deklaruar se bisedat se BE-ja është e lodhur dhe heziton që të pranoj anëtarë të tjerë, janë “mit”.
“Kam dëgjuar shumë për këtë lodhje, por për mua kjo është mit” tha Fule dhe shtoi se ky mit duhet të luftohet së bashku “nëpërmjet reformave që sjellin të mira për popullin”.
Këto komente Fule i bëri sot, nëpërmjet një deklarate për shtyp ku shpalli se në fund të kësaj jave, së bashku me kryetarin e Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, do ta vizitojnë Kroacinë, Bosnjë Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë.
Zoti Barroso ka theksuar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor “i takojnë Bashkimit Evropian”, por ka tërhequr vërejtjen se kjo varet nga aftësitë e vendeve për t`i zhvilluar reformat.
Burime në Bashkimin Evropian kanë thënë se Barroso dhe Fule, në vjeshtë, planifikojnë të vizitojnë Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë.