E Diel, 1 Nëntor 2026

Barroso i ben thirrje biznesit

Presidenti i Komisionit Evropian, Zhose Manuel Barroso, thotë se është koha të merren vendime urgjente për të zgjidhur krizën e borxhit në Evropë. Zoti Barroso u bëri thirrje udhëheqësve të biznesit të mbështesin një plan të gjerë për çështjen e borxhit në eurozone, e cila po zvarritet prej afro dy vitesh.

Në komentet që bëri në Bruksel gjatë një konference të organizuar nga Instituti Miqtë e Evropës, Zoti Barroso tha se fondi i përhershëm për shpëtimin financiar duhet të hyjë në fuqi nga mesi i 2012-s, një vit përpara afatit. Ai bëri thirrje gjithashtu për "më shumë integrim, më shumë disipline dhe zbatimin e plotë të asaj për të cilën është rënë dakord", në mënyrë që eurozona të gjeje një rrugëdalje nga kriza.

"Kemi vendime që mund t’i marrim tani, dhe, kur them tani, e kam fjalën për tani," tha zoti Barroso duke folur përpara udhëheqësve të biznesit dhe hartuesve të politikave në Bruksel. Një pjesë e rëndësishme e planit kërkon që bankat me të mëdha të Evropës të krijojnë kapitale prej miliarda eurosh për t’u bërë ballë trazirave të tregut dhe krizave të borxhit.

Ekzekutivi i BE-së shpreson se krerët e bllokut 27-vendesh do të mbështesin sugjerimet e tij në një takim të rëndësishëm të nivelit të lartë me 23 tetor, që zyrtarët besojnë se mund të jetë shansi i tyre i fundit për të zgjidhur krizën e borxhit para se ajo të shpërthejë.


Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›