E Diel, 1 Nëntor 2026

Barroso uron Nishanin, i kërkon të punojë për pavarësinë e gjyqësorit dhe finalizimin e marrëveshjes së nëntorit

Share

(E PERDITESUAR)- Presidenti i KE i kërkon Nishanit të jetë mbi palët dhe të luajë rolin që i takon në garantimin e pavarësisë së institucioneve. Barroso e quan moment kyç këtë që po kalon Shqipëria dhe kërkon të finalizohet marrëveshja e nëntorit për reformat

Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, ka uruar Bujar Nishanin me rastin e zgjedhjes si president i ri i Shqipërisë.

Ky është urimi i parë i rëndësishëm që vjen për Nishanin, i cili deri më tani ka tentuar të shesë disa SMS si vlerësime të Perëndimit për zgjedhjen e tij.

Nishani u zgjodh me votat e mazhorancës, përkundër kërkesave të Perëndimit.

Ndërkohë në mesazh, Barroso i kujton Nishanit se ky është një moment kyç për rrugën e Shqipërisë drejt BE. Po ashtu, atij i kërkohet që të luajë një rol vital për të garantuar pavarësinë e institucioneve, veçanërisht gjyqësorit.

Do doja tu uroja për zgjedhjen tuaj si president i Republikës. Ky është një moment kritik për rrugën evropiane të Shqipërisë. Reformat që duhet të ndërmarrë Shqipëria për të bërë progres drejt BE kërkojnë konsensus kombëtar dhe punë të qëndrueshme, koherente dhe konstruktive nga të gjitha institucionet dhe partitë politike.

Si president, që përfaqëson unitetin e popullit në përputhje me Kushtetutën, ju do keni një rol vital për të siguruar se do ruhet një klimë politike e paqtë dhe për garantimin e pavarësisë dhe profesionalizmit në institucionet kyçe të shtetit, veçanërisht në fushën e gjyqësorit. Bashkëpunimi i ngushtë dhe i sinqertë mes partive politike, në veçanti sa i përket finalizimit të marrëveshjes politike të nëntorit dhe angazhimi i vazhdueshëm dhe i përgjegjshëm nga të gjitha palët, janë baza për të garantuar se reformat e nevojshme do implementohen.

Ju uroj sukses në ndihmën për të bashkuar përpjekjet e Shqipërisë për të zgjidhur sfidat që i dalin përpara në përmbushjen e të ardhmes evropiane. Komisioni Europian mbetet i angazhuar për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, thuhet në mesazh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›