Kriza greke, Shqipëria, Credit Agricole dhe Carrefour
Ndërkohë që zgjedhjet në Greqi po afrohen, mbarë Europa i ka sytë mbi këtë vend. Gjithmonë e më shumë po përflitet për daljen e Greqisë nga eurozona. Dhe sikur kjo frikë të mos rezultojë e vërtetë, fakti që kompanitë e bankat e mëdha kanë nisur të dyshojnë fort tregon se Greqia është në pikë të hallit.
Dy lajme ekonomike që vijnë nga Greqia sot kanë lidhje edhe me Shqipërinë.
Kështu, fillimisht është raportuar se Carrefour do të tërhiqet nga Greqia. Wall Street Journal lajmëron se kompania franceze ka vendosur të shesë aksionet e saj për familjen greke Marinopulos, e cila tani do të kontrollojë të gjithë supermarketet Carrefour në Greqi, por edhe të drejtat ekskluzive për Shqipërinë, Qipron e Bullgarinë. Wall Street Journal thotë se tërheqja e Carrefour nga Greqia është tregues i faktit se si investitorët e huaj po presin lidhjet me këtë vend.
Carrefour në bashkëpunim me familjen Marinopulos kishin plot 800 dyqane në vend. Tani këto dyqane do mbajnë sërish emrin Carrefour, por do jenë në pronësi të familjes greke.
Ironikisht, Carrefour po tërhiqet nga Greqia për tu përqendruar në Argjentinë, një vend që i ka kaluar këto turbullira ekonomike para disa vitesh dhe që tani po e merr veten me shpejtësi.
Po ashtu një tjetër lajm shumë i rëndësishëm, që ka po ashtu lidhje me Shqipërinë, vjen nga Greqia.
Banka franceze Credit Agricole ka marrë kontrollin mbi asetet në Shqipëri, Bullgari e Rumani nga filiali i saj grek, Emporiki Bank. Sipas AFP, ky veprim u ndërmor mes shqetësimeve në lidhje me një dalje të mundshme të Greqisë nga euro.
Emporiki ka qenë burim i humbjeve të shumta për Credit Agricole që kur banka franceze e bleu atë në vitin 2006.
