E Diel, 1 Nëntor 2026

Baruti: Dokumentet e Partisë, të fshehura në teneqe djathi

Josif Broz (Tito) - kujdestari i PKSH-së. Në maj 1942 Dushan Mugosha[viç] merr rrugën për në Jugosllavi (Bosnja Perëndimore) t'i çojë udhëheqjes së PKJ-së, Josif Brozit, një letër në emër të KQ dhe Miladin Popoviçit drejtuar Kominternit për njohjen e PKSH-së dhe miratimi i kërkesës për përmbajtjen e Konferencës së Parë të Partisë. Mugosha[viç) shoqërohej nga Vasil Shanto[viç) dhe Vojo Kusho[viç]. Disa detaje për dërgatën nga Shqipëria që shkoi për të takuar Tito-n, vijnë nga Vladimir Dedijer.
"Mugosha solli lutjen e KQ të PKSH drejtuar Kominternit që të pranohej anëtare e Kominternit dhe të organizohej mbledhja e Konferencës së Parë të PKSh-së. Mugosha niset për rrugë më 25 maj 1942 dhe në Giamoç (Bosnja Perëndimore) arriti pas 82 ditësh. Dhe atje dorëzoi rezolutën nga mbledhja e parë e grupeve komuniste shqiptare, traktet dhe letrën e Miladinit për Titon. Komiteti Central i PKJ e pranon ftesën e PKSH për të dërguar delegatin e tij në konferencë. Bllazho Jovanoviç, i cili më 3 tetor u nis nga Gllamoçi bashkë me Dushanin. Shoku Tito para nisjes i ka shkruar KQ të PKSH një letër këshilluese që e solli Bllazho Jovanoviçi".
Letra e Tito-s për KQ të PKSH-së, me përgjigjen e Kominternit për pranimin e PKSH-së anëtare të tij, shoqërohet edhe me këshilla të Tito-s për zhvil1imin e Konferencës së Parë të PKSH-së. Letra është shprehja e qartë e kujdestarisë së Tito-s për PKSH:
KQ i PKJ 22.9.1942 Shokëve të KQ të PKSH
"Të dashur shokë, sikurse patjetër duhet të jeni në dijeni, meqenëse ne kemi njoftuar me anë të radios 'Jugosllavia e Lirë', delegati juaj ka mbërritur me të gjithë materialin që keni dërguar. Ne na gëzon pa masë që delegati juaj, mbas një rruge të gjatë e të vështirë, arriti më në fund shëndoshë tek ne.
Arsyet pse delegati juaj [Vasil Sh.] qëndroi gjatë tek ne janë këto: … e treta, sepse delegatit tuaj i kemi dhënë mundësinë të vizitojë disa njësi ushtarake në pozicione dhe të njihet me strukturën e tyre ushtarake. Në emrin tuaj ne kemi kërkuar nga Djedja lejen që të mbahet Konferenca e Partisë Shqiptare dhe të zgjidhet një delegat i përhershëm i KQ. Dje Djedja u përgjigj përfundimisht dhe dha aprovimin për këta. Ndërmjet të tjerash ai [Djedja] thotë: 1. Konferenca duhet të sigurohet nga dështimi dhe para së gjithash të mos lejohet që në konferencë të vijnë njerëz të dyshimtë e provokatorë. 2. Detyrë themelore e konferencës duhet të jetë krijimi i një udhëheqje të sigurtë të Partisë dhe përgatitja e vendimeve konkrete
a. Organizimi i zhvillimit të luftës NÇL të popullit shqiptar kundër italianëve e gjermanëve. b. Krijimi e konsolidimi i çlirimit nacional shqiptar duke evituar për tani hedhjen e parullave që dalin nga kuadri i çlirimit kombëtar të Shqipërisë c. Të futen në udhë-heqjen e luftës partizane përveç komunistëve, sipas mundësive sa më shumë nacionalistë të ndershëm shqiptarë e patriot. Djedja.
Siç e shihni Djedja ka shtruar para jush dy pika konkrete të rendit të ditës.
Krijimi i një udhëheqje të fortë të PKSH dhe çështjen e Luftës NÇL në Shqipëri. Ne kishim për të shtuar vetëm edhe një pikë rreth së cilës ju mund të diskutoni në konferencën tuaj dhe kjo është çështja organizative e PKSH, në të cilën duhet të përpunohet rrënjësisht në mënyrë të veçantë çështja e unitetit dhe e pastrimit të PKSh...]
Për situatën tek ne do t'u informojë verbalisht shoku delegat [Bllazho Jovanoviç, v.b.], i cili ka patur mjaft raste të shohë sukseset tona dhe luftën tonë.
Përshëndetje! Vdekje Fashizmit, Liri Popullit
Për KQ të PKJ
Tito
Dokumentet e humbura të konferencës
Në AQSH është gjetur procesverbali i mbajtur në konferencë, disa referate nga emisarët jugosllavë dhe karakteristika të të zgjedhurve në udhëheqjen e lartë të Partisë, por mungojnë dokumente të rëndësishme, siç janë referatet në konferencë që mbahen të fshehura qëllimisht nga ish-censura politike, që edhe sot nuk janë gjetur me gjithë kërkimet ngulmuese.
Enver H. kur shkruante librin "Kur lindi Partia, me rrena mëton të mbulojë të vërtetën e referatit të tij që mbajti në konferencë dhe shtirej i keqardhur që ai s'gjendej dhe atë e kishte në arkivin e tij personal.
Enver Hoxha: "... kopjen e referatit që unë mbajta në konferencë, pas mbarimit të punës, për të mos e mbajtur kurdoherë me vete, bashkë me disa dokumente, ne e futëm në një kuti teneqe djathi, i mbështollëm me mushama për të mos i dëmtuar lagështia dhe i fshehëm nën baltën e dyshemesë në një kasolle të sigurt. Kur qe liruar Shqipëria kërkuam, por pakon e dokumenteve nuk e gjetëm. Ato ka më tepër mundësi të jenë djegur kur u dogj kasollja nga armiqtë[..] Por për fat të mirë dokumente të tjera të kësaj konference u gjetën pas çlirimit, që ishin ruajtur në një kusi të groposur nën një lis në pyllin e Shmillit".
Procesverbali vijues i tre të besuarve të Enver H. që shkojnë në Shmill dhe nën rrënjët e një lisi gjejnë dokumentet e futura në një kusi në ditët e mbarimit të konferencës:
"Vdekje Fashizmit Liri e Popullit
Stani i Sali Arifit
10 qershor 1946
Procesverbal
Sot më datën 10 Qershor 1946 ora shtatëmbëdhjetë në prezencën e n/Kolonel Kadri Hoxhës, Sami Bahollit dhe Major Vaskë Kolecit u gjetën në pyllin afër stanit të Sali Arifit nga Shmilli një sasi dokumentesh të futura në një kusi alumini dhe të futur në tokë nën rrënjët e një lisi. Dokumentet në prezencën e të treve u nxorën nga kusia, u konstatua gjendja e mirë e tyre nga jashtë dhe u paketuan duke u vulosur me dyll të kuq.
Sami Baholli, Vaskë Koleci, Kadri Hoxha, e para habi është përse për gjetjen e dokumenteve dërgohen tre besnikë të Enverit, kur kërkimi mund të bëhej nga një apo e shumta dy të dërguar të tij!?
Dhe përse Hoxha referatin e tij dhe të tjera dokumente i veçon nga dokumentet që vendosen në një kusi nën rrënjët e një lisi e i vendos në një tjetër teneqe djathi dhe i gropos në baltë nën dyshemenë e kasolles? Dhe s'ka asnjë arsye që ato të ndahen nga dokumentet e tjera, të cilat u gjetën nga komisioni.
Nëse vërtet dokumentet do të ishin të groposura nën dysheme të kasolles, që ishte djegur, me siguri që komisioni i dërguar në Shmill do të merrte porosi nga Enveri të kërkojë atje (në kasolle) edhe referatin e tij e dokumente të tjera, që i kishte me merak, por siç shihet në procesverbal nuk ka asnjë shenjë kërkimi e konstatimi për dokumentet në teneqe të djathit që s'ishin gjetur nën dyshemenë e kasolles së djegur! Është një argument bazik se raporti i mbajtur nga Hoxha nuk e kishte atë fat të keq të ishte djegur bashkë me kasollen që s'ishte 'djegur"? -
Pa pikë dyshimi referati i Enverit e dokumente të tjera të djegura janë bashkë me dokumentet e kusisë të gjetur nën rrënjët e lisit: Të vulosura e dyllosura me dyll të kuq. Referati i Enverit gatitej nga Bllazho Jovanoviçi me këshilla të Titos për forcimin organizativ të Partisë e kjo është arsyeja pse humbet raporti i Enverit.
Kur kanë kaluar më shumë se 66 vjet nga humbja e raportit të Enverit, që mbajti në konferencë, zbulohet raporti, jo ai origjinali, por kopja e saktë e origjinalit. Enveri dhe Nexhmije H., që kishin në dorë Arkivin e Partisë, ishin të bindur se s'ishte lënë pas asnjë gjurmë e tij, por censurës nuk i shkoi mendja se raporti bashkë me një referat tjetër ishte riprodhuar me shaptilograf dhe u dërgohej qarkoreve të Partisë pasi kjo ishte dhe një kërkesë e delegatëve të konferencës. Kjo lidhje me titullin Ushtria Nacionalçlirimtare (një kopje e së cilës gjendet dhe në AQSH, dhe për habi e njëjta kopje ruhet dhe në B. Kombëtare) ka dy raporte te cilët janë: Roli dhe rëndësia e çetave partizane e vullnetare të Ushtrisë Nacionalçlirimtare e puna e organizatave të Partisë në Ushtri dhe të dy raportet janë shkruar nga emisarët e Titos. Raporti i parë nuk ka asnjë emër çete partizane shqiptare dhe asnjë emër gjeografik nga Shqipëria dhe s'dihet kush e mbante raportin. Raporti i dytë, në faqet 30-45, ishte për Partinë, i specifikuar dhe në procesverbal dhe ai mbahej nga Enver H. dhe në 15 faqet e raportit për punën e Partisë në repartet partizane në Shqipëri shkruhen vetëm 8 rreshta në fund të tij:
'Çetat kanë bërë aksione të shumta kundër armikut, si në puset e vajgurit të Patosit, Miniera e Xiftit të Selenicës, heroizma individuale si Vojo Kushi, Perlat Rexhepi etj. Në Shqipërinë e jugut e vende të tjera ku janë krijuar kushtet duhet të formohen sa më shpejt. Do të krijohet Ushtria Nacionalçlirimtare e Shqipërisë. Vdekje Fashizmit, Liri e Popullit".
Vetëm kaq është origjinaliteti i raportit që mbajti Enver H.! Raporti i tij mbahet në fshehtësi të madhe sepse ai shkruhej nga një dorë sllavi, Bllazho Jovanoviçi, për të cilin Enveri vlerëson shumë ndihmën që ai dha për shkrimin e raporteve po edhe të raportit të tij.
Punimet e konferencës
Konferenca e parë e PKSH-së mbahej në fshatin Labinot të Elbasanit, nga 16 deri 22 mars 1943. Partia përfaqësohej nga 70 delegatë nga të gjithë qarqet e vendit. Në konferencë mbahen këto referate: Referati për çështje organizative të Partisë, referati për çështje politike, referati për Luftën Nacionalçlirimtare, referati për Ushtrinë, referati për bashkimin luftarak të punëtorëve me fshatarët, referati për Rininë Antifashiste dhe referati për Gruan Antifashiste.
Enver Hoxha: "... Si u përgatit konferenca e vendit, kjo është një tjetër histori. Si për të gjithë evenimentet e Partisë (kujto skenat qesharake në Pezë), deri në fund ishte Aliu [Miladini]. Por kryesori i konferencës ishte Bllazhoja [Jovanoviçi] i dërguari i Titos në konferencë. Bllazhoja ka ndihmuar më shumë në përgatitjen e referateve, sidomos në referatin ushtarak. Kur erdhi Bllazhoja me direktivat e Kominternit, sikur na erdhi Perëndia".
Referatet që mbahen në konferencë ishin përgatitur nga emisarët e Titos. Edhe vetë Enveri pohon se Bllazhoja ka ndihmuar më shumë në përgatitjen e referateve, sidomos në referatin ushtarak, por e vërteta është se referati shkruhej nga A-ja te Zh-ja prej Bllazhos dhe aq e vërtetë është kjo sa referati, që gjendet në AQSH, siç thuhet më parë, nuk ka asnjë citim për emrat e 20 çetave partizane dhe po ashtu asnjë emër gjeografik nga Shqipëria. Me sa shihet, Bllazhoja diktoi dhe referatin e Enver-it.
Enver Hoxha:
"... Në mbledhje duhet të shtrohen gjëra me peshë. Prandaj mbledhjet i shtyja se për ato do të duhej të përgatiteshim. Aliu [Miladini] s'më thoshte gjë për referatet. Me një punë të tillë unë s'mund të jepja ndihmë.
Nga ç'mbeti prej konferencës, siç është procesverbali e ndonjë dokument tjetër, dalin disa përfundime. Në 60 orë diskutime vetëm për luftën nuk u fol, diskutimet mbulohen me fjalë të përgjithshme, thuajse pa vlerë, por kishte dhe vlera.
Enver H. i vlerëson kështu diskutimet:
"Analizat, mendimet dhe idetë e referateve dhe të nënreferateve u pasuruan më tej nga diskutimet e debatet, të cilat ishin në lartësinë që kërkonte një mbledhje e tillë e madhe dhe historike siç ishte konferenca e parë e vendit.
Enveri, për diskutimin e Miladin P.
"Në konferencë mori fjalën dhe shoku ynë i shtrenjtë, internacionalisti Miladin Popoviçi. Diskutimi që bëri në konferencë ishte i pjekur dhe mendimet e tij ishin të drejta".
Miladini është me të kundërtën e Enverit për konferencën e diskutimet në të. Drejtuesi i punimeve të konferencës, Miladin P., jepte këtë përfundim në mbyllje të konferencës për çështjen më kryesore, që ishte ajo e Luftës dhe e Ushtrisë:
"Kemi tash 60 orë tue diskutue për Luftën e Ushtrinë NÇL dhe me sa shoh nuk dini akoma me punue pikërisht për atë temë që asht më e rëndësishme për kohën aktuale, Lufta NÇL. Lenini na ka thënë nuk duhet të tallemi me kryengritjen, por duhet ta çojmë deri në fund. Mënyra e shprehjes së raporteve nga ana e shokëve ka qenë një tallje me Lëvizjen [NÇL]. Ju e nënçmoni influencën e disa personave ose të të gjithëve. Ali Këlcvra ka simpati, është një fakt.."
Ishte Enver Hoxha, që si askush tjetër delegat i konferencës, madje i vetmi merr dy goditje të forta nga dy delegatë mjaft të njohur:
Mustafa Kaçaçi, politikisht i formuar, siç del nga procesverbali, e konsideron një hiç Tarasin dhe natyrisht ka argumente për këtë hiç, por procesverbalmbajtësi i ka rënë shkurt me përfundimin e tij e jo me citim të drejtpërdrejtë dhe Tarasi nuk iu përgjigj kësaj kritike të fortë.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›