E Diel, 1 Nëntor 2026

PS tërhiqet nga kërkesa për rivotim në Lezhë, PD: Rama ka frikë, 'përdhosi' procesin

TIRANE- Partia Socialiste vendos të tërhiqet nga kërkesa e saj për rivotim në qarkun e Lezhës. Në një deklaratë për mediat nga selia e PS-së, Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi se ky vendim i socialistëve është marrë në interes të vendit, për t’i hapur rrugë certifikimit të zgjedhjeve.

Sipas Gjiknurit, pavarësisht parregullsive që janë vënë re në procesin e votimit më 23 qershor, vendi ka nevojë për përfundimin e shpejtë të procesit zgjedhor. Megjithatë Gjiknuri tha se parregullsitë e vërejtura nga PS-ja do të kallëzohen dhe do të ndëshkohen të gjithë personat që kanë shkelur ligjin.

“Përsëritja e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës jo vetëm do të rikonfirmonte 84 mandatet e mazhorancës, por mund të thellonte dhe më shumë këtë rezultat. Por të vetëdijshëm për nevojën që ka vendi për t’i dhënë fund sa më shpejt procesit zgjedhor, përkundër interesit të ngushtë politik, vendosëm të tërhiqemi nga kjo kërkesë.”- u shpreh Gjiknuri.

Më tej Gjiknuri tha se “kundërshtari politik po mundohet të ndërtojë alibinë e vjedhjes së zgjedhjeve dhe kjo alibi vetëm sa dëmton imazhin e Shqipërisë. Në asnjë vend tjetër, përveç Lezhës, nuk është vënë në dyshim rezultati i zgjedhjeve. Jemi të gatshëm edhe për hetim parlamentar të zgjedhjeve, ajo që na u privua ne në katër vitet e shkuara.” 

PD: PS PO ‘PËRDHOSI ‘ PROCESIN ZGJEDHOR, RAMA FRIKË NGA RIVOTIMI
TIRANË- Partia Demokratike ka reaguar pas tërheqjes nga PS nga kërkesa e saj për rivotim në Qarkun e Lezhës. Nëpërmjet një deklarate për media, Oerd Bylykbashi përfaqësuesi ligjor i PD-së e ka cilësuar vendimin e selisë rozë ‘përdhosje të procesit zgjedhor në qarkun e Lezhës”. Teksa ka akuzuar kryesocialistin Rama se ka frikë nga rivotimi pasi ka ‘vjedhur votat’.

“Edi Rama trembet përballë një rivotimi të qytetarëve të Lezhës. Edi Rama t'i kërkojë ndjesë qytetarëve që u përdhosi procesin zgjedhor në qarkun e Lezhës. Rama i gatshëm të bëjë gjithçka për të mbrojtur votat e vjedhura me para të pista”, theksoi përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi.

Partia Demokratike paralajmëroi se do të bëjë transparencën e plotë mbi procesin zgjedhor jo vetëm në Lezhë por në mbarë vendin.

DEKLARATA E PLOTE E DAMIAN GJIKNURIT
Partia Socialiste është bindur dhe disponon të gjitha provat e kërkuara që vërtetojnë se zgjedhjet në qarkun e Lezhës kanë qenë një proces i dështuar dhe se rezultati nuk reflekton vullnetin e plotë qytetarëve të këtij qarku.
Zgjedhjet në qarkun e Lezhës nuk kanë vetëm njërën anë të errët, atë të ndërhyrjes në rezultatet e 4-5 QV të ZAZ 13, mbi të cilat PD ndërtoi gjithë alibinë e saj politike.
Zgjedhjet aty kanë edhe një anë të tjetër akoma më të errët, që lidhet me votimet në Laç dhe në Mamurras, të shoqëruara me përgjakje, intimidim të votuesve dhe votim fiktiv në të paktën 6 qendra votimi.
Në Laç dhe Mamurras qeveria dështoi në organizimin e zgjedhjeve, ndërkohe që policia u bë palë me bandat kriminale që terrorizuan qytetarët.
Nga verifikimi i materialeve të vetëm 6 QV/ve të ZAZ 15 të Laçit rezulton se kanë votuar me qindra qytetarë që nuk kanë qenë në Shqipëri ditën e zgjedhjeve. Një gjë e tillë është verifikuar nga të dhënat e sistemit TIMS të Ministrisë së Brendshme.
Në një QV ku pjesëmarrja në votim është mbi 90% rezulton se gati 40 % e zgjedhësve të mos kenë qenë fare në Shqipëri apo nënshkrimet e tyre të jenë të falsifikuara.
Nga ekspertimi grafik që iu bë listave të zgjedhësve del qartë se janë mbi 200 nënshkrime të hedhura nga e njëjta dorë, duke vërtetuar plotësisht faktin kriminal të votimit fiktiv në këto QV dhe mbushjes së kutive.
Do të mjaftonin vetëm këto prova që zgjedhjet në Lezhë të deklaroheshin të pavlefshme sipas kritereve të Kodit Zgjedhor, dhe zgjedhjet do të duhet të përsëriteshin brenda 4 javëve në të gjithë qarkun e Lezhës.
Përsëritja e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës jo vetëm do të rikonfirmonte 84 mandatet e mazhorancës, por mund të thellonte dhe më shumë këtë rezultat.
Por të vetëdijshëm për nevojën që ka vendi për t’i dhënë fund sa më shpejt procesit zgjedhor, përkundër interesit të ngushtë politik, vendosëm të tërhiqemi nga kjo kërkesë.
Kjo edhe për t’i hequr çdo fije justifikimi kundërshtarit tonë politik, i cili pas humbjes dërrmuese në 23 qershorit po mundohet të njollosë zgjedhjet apo të ndërtojë alibi politike sikur zgjedhjet ia paska vjedhur opozita.
Kjo alibi shumë qesharake nuk turpëron thjesht vetëm atë, por cenon imazhin e Shqipërisë.
Si për ironi veprimtaria e paligjshme e KQZ gjoja në emër të transparencës, përveç 4-5 QV të Lezhës ku rezultati qysh në fillim dihej dhe ishte identifikuar si problematik, në asnjë vend tjetër nuk e vuri në dyshim integritetin e numërimit të votave dhe rezultatit.
Ndërkohë i deklarojmë publikisht se jemi të gatshëm të aprovojmë çdo kërkesë për hetimin parlamentar të zgjedhjeve, duke bërë realitet atë që ju mohua opozitës për 4 vitet e shkuara për zgjedhjet e vitit 2009 apo për shtimin fiktiv të popullsisë në Kukës në vitin 2012.
Ne mbetemi të angazhuar solemnisht se nuk do t’i privojmë opozitës asgjë që na është privuar ne në 4 vitet e shkuara në opozitë.
Me heqjen dorë të ankimit tonë për Lezhën procesi zgjedhor shkon drejt fundit, duke i lënë vend shpërndarjes së mandateve dhe certifikimit të rezultatit.
Është në interes të vendit që ky proces i fundit të mbyllet sa më parë, me qëllim që politika të fokusohet tek problemet e mëdha që ka ky vend dhe për të cilat njerëzit votuan aq qartë si asnjëherë tjetër.
Ndërkohë aktet e paligjshme në procesin zgjedhor duhet të marrin ndëshkimin e merituar sipas ligjit.
Partia Socialiste do të kallëzojë në prokurori të gjithë paligjshmërinë e votimit në Laç dhe Mamurras si dhe veprimtarinë e KQZ pas ditës së zgjedhjeve.
Ashtu siç inkurajojmë drejtësinë të bëjë punën e saj për rastet e deklaruara të falsifikimit të rezultatit në Lezhë apo kudo tjetër.
Së fundi, i sigurojmë shqiptarët që me ikjen e Sali Berishës nga pushteti, do të mbyllet njëherë e mirë kapitulli i zgjedhjeve me probleme dhe pa standarde për Shqipërinë.

(er.nu/e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: PS tërhiqet nga kërkesa për rivotim në Lezhë, Gjiknuri: T’i hapet rruga certifikimit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›