Baseli i mrekullive

Baseli vazhdon të bëjë mrekulli. Pasi e eliminoi Manchester Unitedin nga faza e grupeve, kampioni zviceran ia doli ta mposht edhe një gjigant të futbollit evropian – Bayern Munichun.
Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka kanë shfaqur paraqitje të shkëlqyeshme, duke e ndihmuar ekipin zviceran në fitoren ndaj gjigantit bavarez me rezultat minimal 1:0, në ndeshjen e parë të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve.
Pjesa e parë është përshkuar me raste të shumta, me një dominim të lehtë të mysafirëve. Derisa Bayerni e kontrolloi këtë 45 minutësh, kjo nuk mund të thuhet edhe për rastet e krijuara, sepse Baseli pati mundësi më të pastra.
Së pari Dragovic e goditi shtyllën në minutën e 16-të, pas harkimit të Shaqirit. Kurse, tre minuta më vonë, Alexander Frei e goditi tërthorësen. Fat i dyfishtë për portierin Manuel Neuer.
Edhe pse pritej që ky takim të përfundonte baras, në minutën e 86-të vendësit e shënuan golin e fitores përmes Valentin Stocker. Baseli do të mundohet ta ruajë këtë epërsi të krijuar në lojën e kthimit, e cila do të zhvillohet në Allianz Arena më 13 mars, për ta siguruar kualifikimin historik në çerekfinale.
Në duelin tjetër, Interi i bëri ballë Olympique Marseilles 90 minuta, por u dorëzua në minutat shtesë, kur vendësit e shënuan golin e fitores me anë të Andre Ayew.
Liga e Kampionëve
E teta e finales
Basel – Bayern 1-0
Marseille – Inter 1-0