Mund ta eliminojmë Chelsean

Mesfushori shqiptar, i cili u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë, ndihet i lumtur me këtë rezultat, por kërkon fitore edhe në ndeshjen e kthimit, e cila zhvillohet pas tri javësh.
“Kemi bërë një ndeshje të madhe. Të pësosh gol në atë mënyrë nuk na demoralizoi. Tash do të shkojmë përpara, por e dimë se në ndeshjen e kthimit nuk do të jetë e lehtë. Duhet të jemi të kujdesshëm, të luajmë syhapur dhe të luftojmë të gjithë së bashku”, deklaroi përfaqësuesi zviceran pas ndeshjes.
Ish futbollisti i Boltonit, i Torinos dhe i Parmës është i vetëdijshëm se ekipi napolitan nuk do ta ketë aspak të lehtë në Stamford Bridge, ku Chelsea do ta kërkojë me ngulm kualifikimin.
“Ndaj Chelseas nuk do të jetë lehtë ta mbajmë ritmin për 90 minuta të tjerë. Është e natyrshme se mund të vuash ndaj skuadrave të forta si kundërshtari ynë, por ne u treguam të fortë duke e shënuar golin e parë dhe të tretë pikërisht në momentin kur ata po dominonin”, përfundoi Xhemajli i cili u inkuadrua në lojë në minutën e 74-t në vend të shënuesit të dyfishtë Ezequiel Lavezzi.