E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: 100 vjet shtet, tre ditë festë në Tiranë për të gjithë shqiptarët

21-11-2012 / Gazeta 55

Mblidhet këshilli Bashkiak i Tiranës. Kalon megjithë bllokadën e këshilltarëve të Edvinit lista e festimeve treditore, nga për datat 26 – 28 Nëntor

Fëmijë, të rinj, të rritur dhe të moshuar nga 26 nëntori e deri natën vonë të 28 nëntorit do të festojnë si asnjëherë më parë festën e pavarësisë, falë aktiviteteve që do të organizojë Bashkia e Tiranës në bashkëpunim edhe me Protokollin e Shtetit, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak, kreu i Bashkisë Lulzim Basha shpalosi për këshilltarët listën e gjatë të aktiviteteve që nisin që më 26 nëntor në Tiranë, data e ngritjes së flamurit në kryeqytet.
Ekspozita, muzikë moderne, klasike dhe patriotike, një tortë e madhe që kap 550 metra katror, hedhje me parashuta, emërtime të reja për sheshe të ndryshme në kryeqytet dhe shumë ngjarje të tjera janë pjesë e festimeve.
Bashkia e Tiranës sikundër bëri dhe vjet, veçanërisht në këtë 100 vjetor ka marrë të gjitha masat për një festë madhështore e cila do të kaplojë të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe diasporë.
Javën që lamë pas në kryeqytet janë zhvilluar plot 38 aktivitete, të regjistruara në paradhomën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Basha tha se, “në vigjilje të festës së madhe kombëtare jemi dëshmitarë se si në kryeqytet është krijuar një atmosferë festive në kuptimin e gjithë-përfshirjes së qytetarëve. Konsideroj se përtej ngjarjeve, koncerteve, manifestimeve, shtatoreve dhe shumë veprave të tjera të rëndësishme që shpalosen me rastin e 100 vjetorit, një nga arritjet më të mëdha është përjetimi i kësaj feste kombëtare nga të gjithë qytetarët me akses të plotë në ngjarjet e organizuara dhe financuara nga Bashkia, institucionet qendrore, por dhe organizma të tjerë shqiptare nga Kosova, Maqedonia, diaspora, etj”.
Qëllimi i programit të punuar nga Bashkia është përjetimi i festës së madhe si një festë e të gjithë shqiptarëve, e shtrirjes kapilare të saj në të gjithë vendin, duke i bashkuar shqiptarët pa dallim anembanë vendit dhe kombit.
Festimet, sipas Bashës nisin më 26 nëntor, një ditë që për kryeqytetin është një datë e shënuar, ditë kur u ngrit flamuri. “Me këtë rast kemi një program të veçantë përkujtimi, me praninë e pasardhësve e pinjollëve të ngritësve të flamurit në Tiranë, pikërisht në zonën pranë Urës së Tabakëve, ku do të përkujtojmë 100 vjetorin e ngritjes së flamurit në Tiranë me përjetimin e simbolit kombëtar, shqiponjës dy krenare”, vijoi Basha.
Në urën e vjetër të Tiranës do të vendoset një mozaik i flamurit kombëtar, bazuar në një nga dizenjot e hershme të stemës së Muzakajve, i punuar tërësisht me gurë natyralë nga artisti Gëzim Hidri. Mozaiku është 2012 milimetra i gjatë, punuar me 2012 gurë dhe përkujton vitin e shpalljes së pavarësisë (1912-2012).  Mozaiku është 1200 milimetra i lartë, në simbol të 1200 muajve që përbëjnë një shekull. 
Autorit të kësaj vepre i janë dashur 4 muaj të mbledhë gurë të kuq në të gjithë trevat shqiptare, një pjesë e të cilave janë marrë në fusha dhe male ku janë zhvilluar betejat më të përgjakshme që nga koha e Skenderbeut, deri në çlirimin e Shqipërisë.
Sipas Bashës, “në pedonalen ‘Murat Toptani’ do të nisë Panairi ‘Blej produkte shqiptare’, ndërsa përpara Teatrit të Operas dhe Baletit do të nisë puna për Tortën e Pavarësisë, mbi të cilën do të vendoset flamuri kombëtar. Do të jetë një tortë me një sipërfaqe prej 550 metra katrorë përgatitur nga pastiçierët më të mirë shqiptarë, që kanë bërë emër në tregjet e Europës dhe Amerikës së Veriut. Do të jetë torta më e madhe e ndërtuar ndonjëherë në botë, e fundit më e madhja ka qenë 500 metra katror në Itali me rastin e 150 vjetorit të pavarësisë së këtij shteti’, detajoi Basha.
Ai tha se, aktivitete të tjera do të vijojnë me ekspozita historike, koncerte në të gjithë territorin e Tiranës me pjesëmarrjen e bandave të rocku-t nga Kosova, Maqedonia, Presheva, etj
Po në datën 26 nëntor në prani të kryetarëve të bashkive të qyteteve të tjera nga vendi, kryetarëve të komunave të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Preshevës do të zhvillohet një ngjarje tjetër e rëndësishme, emërtimi i rreth-rrotullimit të Doganës me emërtimin “Shqiponja” dhe vendosja e shqiponjës në kuadër të 100 vjetorit.
Ky monument tregoi Basha është i përmasave të mëdha dhe i një pune të madhe artistike, i cili përjetësohet në këtë pjesë të qytetit me kontributin e shqiptarëve nga të gjitha trevat, veçanërisht nga shqiptarët e Tetovës.
Në mbrëmjen e po kësaj dite, do të mblidhet për herë të parë Orkestra Kombëtare Rinore apo Filarmonia Rinore, e cila do të dirigjohet nga Alberto Ceccato, një nga dirigjentët më të njohur në botë.
Basha tha se, “ky dirigjent që do të udhëheq këtë koncert, do të jetë një dëshmitar i një ripërtëritjeje në qytetit tonë,  të talenteve në muzikën klasike. Të rinjtë të moshës 13-27 vjeç do të performojnë në këtë zhanër”.
Por Tirana do të pushtohet edhe nga dy aktivitete të tjera të bandave të rock-ut, hip-hopit dhe rap-it për 4 orë deri në mesnatën e 26 nëntorit.
Më 27 nëntor do të vazhdojë organizimi i panairit me produkte shqiptare, përgatitja e tortës gjigande, 10 koncerte me këngëtarë të rinj.
“Bashkia prezanton edhe dhuratën për fëmijët e kyeqytetit: 1 CD me 42 këngë patriotike gjatë periudhës 1912-1945. Për realizimin e saj është kryer një punë e madhe nga kritikët e muzikës për gjetjen, pastrimin, evidentimin e teksteve përmbledhjen e këngëve. Duke financuar këtë nismë, Bashkia ndihmon trashëgiminë e këngëve patriotike shqiptare”, u shpreh Basha. 
Kjo CD do të shpërndahet falas për gjimnazistët dhe fëmijët e arsimit bazë.
Më datën 27 nëntor do të organizohet ceremonia e përurimit të shtatores së Heroit Adem Jashari pranë rrugës së Durrësit. Ndërkohë që festa e madhe e pavarësisë do të kulmojë më 28 nëntor në sheshin “Skënderbej” me ceremoninë e prerjes së tortës dhe hedhjen e parashutistëve të Red Bull me flamurin Kombëtar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›