Topalli: Seancë jashtë radhe për miratimin e tre ligjeve

Opozita i përgjigjet sërish “kundër” apelit të kryetares së Kuvendit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përsëriti edhe njëherë të martën ftesën ndaj deputetëve të opozitës për miratimin e tre ligjeve të kërkuara nga KE për marrjen e statusit të vendit kandidat, duke u shprehur për thirrjen e një seance jashtë radhe të parlamentit. Opozita nga ana e saj u shpreh kundër këtij propozimi.
Zyra e shtypit e Kuvendit njofton se kërkesa e kryeparlamentares u bë dje gjatë mbledhjes së konferencës së kryetarëve, ku u diskutua draft-kalendari i punimeve për periudhën 26 nëntor-14 dhjetor.
Pas diskutimeve dhe miratimit me konsensus të kalendarit, konferenca e kryetarëve ra dakord që prioritet në axhendën e komisioneve parlamentare të ketë shqyrtimi i projektbuxhetit për vitin 2013, sapo ai të mbërrijë në Kuvend.
Kryetarja Topalli përsëriti edhe njëherë ftesën ndaj deputetëve të opozitës për miratimin e tre ligjeve të kërkuara nga KE për marrjen e statusit kandidat, duke kërkuar përfshirjen në kalendar të një seance të posaçme, jashtë radhe për miratimin e tre ligjeve të kërkuara. Por, anëtarët socialistë të konferencës së kryetarëve nuk e pranuan këtë propozim.
Tre projektligjet që kërkohen nga Brukseli do vazhdojnë gjithsesi të jenë pjesë e kalendarit të punimeve të Kuvendit.