E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha 500 mije euro per ruajtjen e trashegimise kulturore te Tiranes

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, vizitoi sot Mozaikun e Tiranës, monumentin më të vjetër të qytetit, në ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

Duke folur mbi vlerat kulturore e muzeale të qytetit të Tiranës, Basha u shpreh se nga viti i ardhshëm, Bashkia do të kontribuojë me një fond prej 500 mijë eurosh për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të kryeqytetit.

Kryebashkiaku tha se Bashkia e Tiranës do të hartojë një program rehabilitimi me financime, jo vetëm për t’i ruajtur, por edhe për t’i bërë këto vlera pjesë të Tiranës turistike.

Më poshtë fjala e plotë e Kryetarit të Bashkisë, Basha në vizitën e Mozaikut të Tiranës:

“Sot është Dita e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare dhe ne gjendemi në një monument shumë të vjetër të trashëgimisë kulturore kombëtare të Tiranës, siç është Mozaiku i Tiranës. Shumë qytetarë të Tiranës mendojnë se qyteti i tyre është i ri dhe në një farë mase kanë të drejtë, por qyteti po kështu është një vendbanim shumë i vjetër, siç vërteton ky Mozaik i shekullit të 5-të, që tregon një shkallë të lartë zhvillimi të vendbanimeve, një vilë romake, e cila përveç kushteve të banimit, duket qartë se ka pasur edhe elementë të fortë artistikë, pjesë e së cilave ka mbijetuar e po restaurohet.

Jetojmë pra në një qytet, i cili është vendosur mbi vendbanime të lashta të popullsisë, jetojmë në një qytet i cili ka brenda vijës së verdhë, shumë e shumë rrënoja të tjera, disa të zbuluara, disa në zbulim e sipër, por shumë pak prej tyre të ditura.

Jam i sigurt që me përjashtim të banorëve të kësaj lagjeje, shumë pak e dinë vendodhjen e këtij Mozaiku, kësaj perle të rrallë të trashëgimisë kulturore të Tiranës.

Sa i përket këtyre mozaikëve apo rrënojave të tjera të periudhës para mesjetare, sa i përket Tiranës mesjetare, Sarajeve, apo pjesës tjetër të vjetër të qytetit, Bashkia do të hartojë një program rehabilitimi me financime, jo vetëm për t’i ruajtur, konservuar dhe nxjerrë në pah këto vlera, por për t’i bërë këto vlera pjesë të Tiranës turistike, ku nuk do të kemi vetëm mozaikë, por do të kemi edhe aktivitete të shumëllojshme artistike, kulturore, ekonomike, artizanale; ku do të kemi krahas njëri-tjetrit të kaluarën e këtij qyteti, historinë e këtij qyteti dhe vlerat më të mira të artizanatit dhe turizimit, që do të materializohen nëpërmjet punës së artizanëve të Tiranës, stendave turistike, në mënyrë që këto perla të trashëgimisë kulturore të Tiranës, të jenë ndër vendet më të vizituara në qytetin e Tiranës.

Për këtë, Bashkia e Tiranës, duke nisur që nga viti që vjen do të ndajë një fond prej jo më pak se 500 mijë eurosh, i cili do të përdoret në formën e granteve, për të cilat mund të aplikojnë entet publike, bashkiake, shtetërore apo jo qeveritare dhe unë me këtë rast, bëj një ftesë, të cilën po kështu do ta institucionalizoj, qeverisjes qëndrore por edhe fondacioneve të ndryshme, t’i bashkohen këtij fondi bashkiak, për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të Tiranës”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›