Basha: Anëtarësimi në NATO nuk ka qenë një dhuratë
Ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha gjatë fjalës së tij në takimin e ministrave të Kartës së Adriatikut, ka vlerësuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si produkt të mirëfilltë meritash të akumuluara ndër vite. Ai është ndaluar në tri momente kryesore: në meritat e procesit të anëtarësimit, tregues i qartë i politikës proaktive të zgjerimit të NATO-s; në perspektivën e anëtarësimit dhe rikonfigurimin e formatit nga A3 në A5; në kontekstin e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit tonë pas zgjerimit të fundit.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO nuk ishte një dhuratë, sepse NATO është tepër e çmuar për tu dhënë si e tillë. Anëtarësimi ishte produkt i mirëfilltë meritash të akumuluara ndër vite, rezultat i reformave të guximshme dhe të suksesshme, në fushën politike, ushtarake, ekonomike, sociale e juridike. Këto reforma kishin në themel të tyre, vullnetin e pakthyeshëm politik të qeverisë shqiptare, mbështetjen masive e të pakursyer të qytetarëve shqiptarë dhe bashkëpunimin konstruktiv të të gjithë aktorëve politikë pa asnjë përjashtim, u shpreh Basha. Sipas ministrit të Jashtëm, Shqipëria, ndërkombëtarisht është vlerësuar e guximshme dhe e suksesshme në reformat tërësore dhe ka mbështetur nismën Adriatik 5 duke ofruar gjithë mbështetjen, përvojën dhe bashkëpunimin që mbi këtë nismë të përçohet efekti domino i suksesit të A3. Besoj se bashkë ndajmë të njëjtin vlerësim për faktin se bashkëpunimi në formatin A5 do të mund ti japë një impuls të ri edhe marrëdhënieve tona në dobi të forcimit të stabilitetit dhe të sigurisë, paqes dhe prosperitetit në rajon, shtoi më tej Basha. Ministri i Jashtëm e ka vlerësuar zgjerimin një instrument të fuqishëm të Aleancës, e cila e ka përvijuar atë në trajektoren e dyerve të hapura. Sipas tij, kjo politikë e ndjekur nga mbështetja e fuqishme e partnerëve strategjikë si SHBA-të e BE, u bë katalizatore e këtij ndryshimi historik. Në këtë kontekst, ministri Basha ka shprehur mirënjohjen kundrejt të gjithë aleatëve për besimin që dhanë, i cili u kthye në realitet, duke veçuar si synim të përbashkët dhënien e cilësive të reja të këtij rajoni, prirjen e pakthyeshme të integrimit Euro-Atlantik të vendeve dhe popujve tanë.