Serbia dhe Kosova ti bashkëngjiten kartës Adriatik 5
Ministrat e Jashtëm të Komisionit të Partneritetit, të Kartës së Adriatik 5, nëpërmjet një deklarate kanë shprehur mbështetjen për Serbinë dhe Kosovën, që ti bashkangjiten kësaj nisme rajonale. Kjo do të hapte përfundimisht perspektivën euroatlantike për këto dy vende, për t'u siguruar vendin e tyre në një rajon të asociuar plotësisht në NATO dhe BE, që lë prapa të kaluarën e hidhur të konfliktit dhe ecën përpara në frymën e bashkëpunimit drejt paqes, sigurisë dhe prosperitetit, thuhet në deklaratë.
Ky dokument, pasi vlerëson Shqipërinë dhe Kroacinë për anëtarësimin e tyre historik në NATO, vë në dukje kontributin në rritje të Maqedonisë, duke pritur që në një të ardhme të afërt ajo të hyjë në Aleancë. Ndër të tjera në këtë deklaratë bëhet e qartë mikpritja e Bosnje- Hercegonivës dhe Malit të Zi nga vendet themeluese të Kartës së Adriatikut, në pjesëmarrjen e tyre të parë në mbledhjen e Komisionit të Partneritetit dhe i sigurojnë ato për mbështetjen e plotë dhe të vazhdueshme në procesin e transformimit drejt integrimit të tyre të plotë në Aleancë. Më tej vihet theksi tek bashkëpunimi rajonal si një ndër instrumentet më të rëndësishme për çuarjen përpara të synimeve tona për integrimin euroatlantik, zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, forcimin dhe garantimin e stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit të rajonit tonë. Perspektiva euroatlantike e Ballkanit Perëndimor është forca kryesore lëvizëse për ecurinë e reformave kombëtare dhe ajo është shtysa më e rëndësishme për stabilitet të qëndrueshëm politik, social dhe ekonomik. Vendet e Kartës së Adriatikut ndjehen të inkurajuara nga pjesëmarrja në këtë takim e Sekretarit të Përgjithshëm të NATOS, Zotit Jaap de Hoop Scheffer dhe vlerësojnë rolin e tij të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të vendeve tona në NATO, thuhet në deklaratë. Ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe përfaqësues nga Kroacia dhe SHBA janë mbledhur në Tiranë në Takimin e Komisionit të Partneritetit, për të çuar më tej dialogun në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre drejt integrimit euroatlantik. Pas Shqipërisë, kryesimin e Kartës së Adriatikut pritet ta marrë në gjysmën e dytë të vitit 2009, Bosnje-Hercegovina, si anëtari i parë i ri i kësaj nisme.