E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha garanton zgjedhje të lira përpara sekretarit të NATO Scheffer

Kryeministri Berisha ka garantuar përkushtimin e plotë dhe total të qeverisë për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, në interes të qytetarëve shqiptarë. Kjo deklaratë e kryeministrit ka ardhur gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer. E informova Scheffer për të gjitha përpjekjet e qeverisë për një kuadër ligjor dhe teknik më të mirin që ka pasur ndonjëherë vendi dhe përkushtimin e plotë dhe total të qeverisë, për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, nderimin e vullnetit të tyre, por dhe nderimin dhe vlerësimin e të gjithë atyre që votëbesuan Shqipërinë për anëtare të NATO-s, nënvizoi Berisha. Në këtë konferencë, kryeministri duke vlerësuar rolin e të gjitha vendeve anëtare që votëbesuan anëtarësimin e Shqipërisë, veçoi kontributin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-së, në realizimin e një projekti ëndërr për shqiptarët. Sekretari i Përgjithshëm, Scheffer do të mbetet në memorien historike të kombit, si një nga miqtë më të shquar të këtij kombi. Ai ka ardhur në një vizitë lamtumire në vendin tonë, ndaj dua ta uroj për mënyrën e suksesshme me të cilën ai drejtoi Aleancën gjatë këtij mandati, si dhe për hedhjen e bazave të reja për një reformë strategjike të Aleancës, për ta përshtatur atë plotësisht për shek e 21-të, vijoi Berisha. Ndër të tjera, kryeministri informoi se gjatë takimit me dyer të mbyllura që parapriu konferencën për shtyp, u diskutua për marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n dhe gjendjen në rajon, reformat e tjera të ndërmarra nga qeveria shqiptare në të gjitha fushat dhe arritjet e rëndësishme gjatë këtyre katër viteve. Duke u ndalur në veçanti, në luftën me zero tolerancë kundër krimit e korrupsionit, reformat ekonomike e fiskale, modernizimin e forcave të armatosura dhe kthimin e tyre në një ushtri tërësisht profesionale. Nga ana e tij, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, i cili vjen për herë të fundit në vendin tonë me këtë mision, e ka cilësuar të rëndësishme periudhën deri në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Në këtë drejtim, ai ka vlerësuar edhe mbështetjen që forcat e armatosura shqiptare japin në Kosovë. Për këtë arsye do të thosha se realizimi i reformave është një arritje shumë e rëndësishme. Vazhdimi i suksesshëm i reformave të nisura tashmë është i pandalshëm. Shqipëria sigurisht do të marrë pjesë patjetër në diskutimet që do të bëhen në NATO, për themelimin e një koncepti strategjik të NATO-s, që është shumë e rëndësishme, theksoi ai. Scheffer është shprehur i bindur se Shqipëria do të jetë edhe në të ardhmen zëri i arsyes, zëri i moderimit në rajon. Ishin arritjet e këtyre reformave te rëndësishme ato, që bindën aleatët të pranojnë Shqipërinë si anëtare e plotë e NATO-s, vijoi ai. Sekretari Scheffer shtoi gjithashtu se Aleanca vlerëson lart faktin, që Shqipëria është sot një kontribuuese reale për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, përmes politikave të saj konstruktive e të moderuara si dhe kontributin e rëndësishëm, që ushtarakët shqiptarë japin në shërbim të paqes dhe sigurisë në Afganistan dhe në vende të tjera. Ju jam shumë mirënjohës për politikat tuaja të moderuara e konstruktive në shërbim të sigurisë e stabilitetit në rajon, si dhe për kontributin e Shqipërisë në Afganistan dhe jemi të lumtur të vazhdojmë këtë bashkëpunim me ju tashme si vend anëtar i NATO-s, nënvizoi Scheffer. Në fund të mandatit si sekretar i përgjithshëm i NATO-s, Scheffer theksoi se rruga e vetme për stabilitet është futja në këtë aleancë e të gjitha vendeve të rajonit. I rikthyer nga pas tre vitesh në Shqipëri, Scheffer do të mbahet mend për theksimin në Tiranë në vitin 2006, të politikës së dyerve të hapura si filozofi që udhëheq NATO-n. Një deklarim që shënoi fillimin e një ere të re në marrëdhëniet e vendit me aleancën që do të kurorëzohej me anëtarësimin e plotë të vendit në prill të këtij viti.
 ***********************************************************************************
Sekretari i NATO merr titullin Honoris Causa nga UT dhe Urdhrin Gjergj Kastrioti
Sekretari i përgjithshëm i NATO-së Jap de Hoop Scheffer viziton Shqipërinë, 34 ditë pas anëtarësimit të plotë të saj në këtë aleancë. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, sekretari i NATO-s është takuar me krerët më të lartë të shtetit shqiptar, si dhe ka marrë nga presidenti i Republikës, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e popullit shqiptar, Urdhrin e Artë Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, në përshëndetjen e tij, e konsideroi dekorimin një nder të madh. Jam shumë krenar që qëndroj përballë flamujve të këtij kombi krenar, të Shqipërisë dhe të NATO-s. Gjithashtu, jam shumë krenar që po marr këtë medalje të lartë në Shqipëri, në Tiranë, pak kohë më vonë pasi ne patëm kënaqësinë të mirëpresim Shqipërinë si anëtare në Aleancë, theksoi Scheffer pas marrjes së dekoratës së lartë. Nderimi tjetër i takonte Universitetit të Tiranës, i cili i dorëzoi sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, titullin doktor Honoris Causa. Gjatë ceremonisë, Scheffer, një nga përkrahësit më të fortë të zgjerimit të NATO-s, i njohu Shqipërisë meritat për anëtarësimin. Muajin e kaluar, në samitin e Strasburg-Kel, në Francë e Gjermani, Shqipëria dhe Kroacia morën më në fund vendin që u takon në një nga organizatat më të rëndësishme euroatlantike. Anëtarësimi i vendit tuaj, zoti Kryeministër dhe shkëlqesi ambasadorë, nuk ishte një dhuratë, nuk ishte diçka që jepet lehtë. Ishte një shpërblim për punën e palodhur të shumë viteve dhe suksesin e reformave të vështira dhe të shumanshme, të cilat u ndërmorën me vendosmëri të palëkundur. Vërtet, cilësi të ngjashme kërkohen për të arritur përsosmërinë akademike dhe ndërsa studentët përgatiten të shohin drejt të ardhmes së tyre, tashmë ata kanë mundësi të shohin përpara me besim dhe krenari, rezultatet e arritjeve domethënëse të vendit të tyre. Disa rrugë të reja hapen për punësimin e tyre si zyrtarë të NATO-s dhe kush e di, ndonjë ditë, ndonjë i diplomuar nga ky Universitet do të ketë privilegjin të jetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, veçoi ai. Kjo është vizita e fundit zyrtare në Shqipëri për sekretarin e NATO-s dhe për këtë arsye ai e ka parë të arsyeshme reflektimin për atë çka Shqipëria ka arritur dhe NATO gjithashtu, në 5 vite. Është mallëngjyese për mua dhe një mundësi e lumtur, teksa i afrohem fundit të mandatit tim, të mirëpres anëtarë të rinj në familjen e NATO-s, vijoi Scheffer gjatë ceremonisë së dhënies së titullit doktor.

***********************************************************************************
Kongresmeni Engel: Shqipëria, përherë me miq të mirë në Kongresin Amerikan
Kongresmeni Eliot Engel, njëkohësisht anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme dhe Kryetar i Nënkomitetit për Evropën, ka përgëzuar reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, të cilat kanë udhëhequr Shqipërinë drejt anëtarësimit në NATO. Në qoftë se dikush do të më kishte thënë në vitin 2004 që Shqipëria do të hynte në NATO në pesë vjeçarin e ardhshëm, unë nuk do ta kisha besuar kurrë, por tashmë falë reformave që ju ndërmorët dhe lidershipit tuaj, kjo është realitet, u shpreh kongresmeni Engel. Ndër të tjera, ai i konfirmoi kryeministrit shqiptar se do të vazhdojnë të përkrahin dhe mbështesin Shqipërinë dhe se në Kongresin Amerikan do të ketë përherë miq të mirë. Nga ana e tij, kryeministri Berisha e siguroi kongresmenin Engel, se qeveria shqiptare është tërësisht e përkushtuar për të realizuar zgjedhjet më të mira të organizuara ndonjëherë në Shqipëri, në përputhje të plotë më të gjitha standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për këtë qëllim qeveria ka ndërtuar infrastrukturën më të mirë zgjedhore dhe po pajis qytetarët shqiptar me dokumente identifikimi nga me të sigurtat në Evropë. Në takim u diskutuan gjithashtu zhvillimet me të fundit në rajon duke u ndal ne veçanti në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

***********************************************************************************
Topi Scheffer: Zgjedhjet e lira, hap i sigurt drejt së ardhmes evropiane
Pre

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›