E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Skrapar: Do të ndryshojmë realitetin në fshat

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama prezantoi dje programin e ri qeverisës në Veladishtë të Skraparit dhe premtoi se qeveria e re socialiste do të krijojë të gjitha kushtet që fshati shqiptar të mund të zhvillohet, që banorët e fshatit të mund të gëzojnë të gjithë të drejtat që u takojnë, si qytetarë të lirë e të barabartë të këtij vendi. Rama premtoi se socialistët do të bëjnë hapin e madh për të ndryshuar realitetin në zonat rurale. Ne do të bëjmë hapin e parë, një ndryshim radikal qysh në formimin e qeverisë. Do të ngremë një ministri të posaçme vetëm për fshatin, sepse ne mendojmë që fshati nuk është thjesht bujqësi, nuk është thjesht një rrugë për të dalë në xhadenë kryesore, tha Rama, sipas të cilit, fshati është një pjesë e pandashme, e patjetërsueshme, e pazëvendësueshme e Shqipërisë ku jetojnë qindra e mijëra qytetarë e qytetare që kanë liri e të drejta të barabarta. Kreu i socialistëve argumentoi se sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për një politikë që u kthen shpresën familjeve shqiptare. Duhet ti japim politikës një zemër, në qoftë se duam tu japim fëmijëve tanë mundësi të barabarta qofshin të lindur në Tiranë, qofshin të lindur këtu në Veladishtë, qofshin të lindur në Tropojë qofshin të lindur në fushë, qofshin të lindur në mal apo kudotjetër qoftë shtoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›