Scheffer: Rajoni të marrë shembull nga anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO

Takimi i ministrave të Punëve të Jashtme të Kartës së Adriatikut i zhvilluar në Tiranë, shprehu solidaritetin për anëtarësimin sa më parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO, përfshirë këtu edhe Serbinë e Kosovën. Aktiviteti i zhvilluar në Tiranë, në drejtimin e ministrit të Jashtëm shqiptar Lulëzim Basha mblodhi ministrat e Jashtëm të Kroacisë, Maqedonisë, Bosnje- Hercegovinës dhe Malit të Zi.
Në fjalën e tij, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer ka rikonfirmuar politikën e dyerve të hapura të Aleancës. Gjatë fjalës së tij ai ka përshëndetur anëtarësimin me të drejta të plota në këtë aleancë të Shqipërisë dhe Kroacisë. Sipas tij, ky sukses nuk është vetëm për këto dy vende, të cilat kanë punuar shumë për kthimin e aspiratave të tyre në realitet, por edhe sukses për të gjithë rajonin. Kjo arritje duhet të shërbejë si shembull se çfarë mund të arrihet, dhe unë shpresoj, do të jetë një inkurajim i mëtejshëm për ato vende të këtij rajoni të cilat ndajnë të njëjtin objektiv për tju bashkuar Aleancës së Atlantikut si anëtare me të drejta të plota. Ne jemi tërësisht të vetëdijshëm se jo të gjitha vendet në këtë rajon e kanë pasur mundësinë të realizojnë këtë ambicie, por logjika e integrimit nëpërmjet zgjerimit të NATO-s mbetet gjithmonë e vlefshme. Kjo është arsyeja pse dera e NATO-s do të mbetet përherë e hapur. Kjo është arsyeja pse vendet që aspirojnë anëtarësimin në NATO duhet të vazhdojnë dhe intensifikojnë reformat. Dhe kjo është arsyeja pse NATO, duke përfshirë dhe vendet më të reja anëtare, duhet të vazhdojnë të inkurajojnë dhe ndihmojnë këto përpjekje, vlerësoi sekretari i NATO-s. Sipas Scheffer, origjina e transformimit të NATO-s pas fundit të Luftës së Ftohtë, qëndron në Europën Juglindore, dhe ishte shpërbërja e Jugosllavisë, që detyroi NATO-n të marrë një rol që nuk e kishte menduar me pare, atë të menaxhuesit të krizave dhe të paqeruajtësit. Me përfundimin e kësaj krize dhe me vendosjen e paqes në mbarë rajonin, përkushtimi i NATO-s nuk është pakësuar dhe nuk duhet të pakësohet. Përkundrazi, NATO tashmë ka një marrëdhënie të veçantë dhe unike me vendet e Europës Juglindore, përfshirë dhe këto vende të mbledhura sot në këtë takim. Është një marrëdhënie e qëndrueshme dhe e besueshme dhe një marrëdhënie që do thellohet teksa ne vazhdojmë të ecim së bashku drejt një Europe që është e plotë, e lirë dhe e sigurt, vijoi ai. Në lidhje me vendimin e vitit të kaluar për të ftuar Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi në bashkëpunimin e Kartës së Adriatikut, sekretari i NATO-s, ka veçuar se ky hap ka treguar se logjika e të punuarit së bashku, është rrënjosur tashmë në këtë rajon. Në këtë drejtim, bashkëpunimi ka zëvendësuar konfrontimin dhe kjo ka hapur mundësi të jashtëzakonshme për tërë Europën Juglindore. Kam qenë i bindur se integrimi euroatlantik ofron rrugën e vetme të mundshme, që Europa Juglindore të eci përpara. Kjo është arsyeja pse, përgjatë gjithë mandatit tim si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, unë kam qenë një mbështetës i palëkundur i politikës së dyerve të hapura të NATO-s. Kjo është arsyeja pse unë isha shumë i lumtur që në samitin e fundit të NATO-s në Strasburg dhe Kehl, ne ishim në gjendje të mirëprisnim, ka deklaruar sekretari i NATO-s. Ndërsa për Malin e Zi dhe Bosnjën, kërkohet vazhdimi i mëtejshëm i rrugës së reformave, Maqedonia vazhdon të mbetet peng i çështjes së emrit me Greqinë. Ministri i Jashtëm maqedonas, Antonio Milloshoski shprehet se zgjidhja tashme është në dorën e Athinës zyrtare që ajo të afrohet më tej në qëndrimet e saj pasi në këto negociata Greqia nuk duhet të ofrojë zgjidhje që dëmtojnë ndjenjat kombëtare të maqedonasve.
Last Updated on Friday, 08 May 2009 21:21
Last Updated on Friday, 08 May 2009 21:21